Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka ngritur alarmin për një përshkallëzim të mundshëm të kërcënimit rus ndaj NATO-s, duke deklaruar se Moska mund të jetë në pozicion për të sfiduar ushtarakisht aleancën deri në fund të kësaj dekade.
Gjatë një vizite në një kompani të sektorit të mbrojtjes, Starmer tha se analizat e shërbimeve britanike të inteligjencës, të mbështetura edhe nga vlerësime të partnerëve të NATO-s, tregojnë se ekziston mundësia e një sulmi rus ndaj aleancës rreth vitit 2030.
“Sipas vlerësimit tonë të inteligjencës, si dhe atij të vendeve të tjera të NATO-s, mund të ketë një sulm rus ndaj NATO-s që në vitin 2030”, u shpreh kreu i qeverisë britanike.
Sipas tij, ky skenar e bën të domosdoshëm forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përgatitjen e vendeve anëtare për sfidat e sigurisë që mund të shfaqen në të ardhmen e afërt.
Kreu i qeverisë britanike argumentoi se mjedisi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe se tensionet globale po rrisin nivelin e pasigurisë.
Ai theksoi se bota po përballet me një periudhë me rreziqe të larta për sigurinë dhe shtoi se qeveria britanike ka detyrimin të garantojë gatishmërinë e vendit për çdo zhvillim të mundshëm.
Lini një Përgjigje