
Sot thuajse të gjithë bien dakord, se Ngushtica e Tajvanit është vatra konfliktuale më e nxehtë në botë. Kina ka rritur ndjeshëm vitet e fundit shkallën dhe intensitetin e operacioneve të saj ushtarake rreth e rrotull Tajvanit, në përgjigje të atyre që ajo pretendon se janë provokime nga qeveria rebele e ishullit dhe Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë Tajvani, e ka rritur më tej buxhetin e tij të mbrojtjes dhe ka forcuar gatishmërinë e tij ushtarake. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shpeshtuar aktivitetet e saj ushtarake në rajon. Ekspertët, studiuesit dhe madje edhe zyrtarët qeveritarë, flasin mbi një sërë skenarësh të frikshëm dhe apokaliptikë.
Ato variojnë nga bllokadat ekonomike që do të fusnin në krizë ekonominë globale, tek një luftë bërthamore midis 2 superfuqive, e shkaktuar nga një pushtim i qëllimshëm i Tajvanit nga Kina, apo nga një përplasje aksidentale e anijeve ose avionëve kinezë dhe amerikanë.
Gjatë një telefonatë në vitin 2022 me presidentin amerikan Joe Biden, udhëheqësi kinez Xi Jinping bëri një paralajmërim të fortë ndaj ishullit:”Ata që luajnë me zjarrin do të digjen prej tij!”. Ndaj nuk është për t’u habitur, që kjo frikë ka prodhuar një mori recetash politike për të shmangur katastrofën.
Disa u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara, që të kenë një angazhim të qartë në mbrojtje të Tajvanit (duke përfshirë edhe armët bërthamore, nëse do të jetë e nevojshme), dhe të deklarojnë se ishulli nuk është pjesë e Kinës. Të tjerët përqendrohen në forcimin e mbrojtjes së Tajvanit.
Një numër shumë më i vogël analistësh kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje me Pekinin, në të cilën Uashingtoni t’i japë fund angazhimit të tij për ta mbrojtur Tajvanin, pra që ishulli të braktiset në fatin e tij. Edhe pse përkrahësit e secilit prej këtyre tezave, nxjerrin në pah epërsinë e qasjes së tyre, realiteti është se të gjitha ato bartin rreziqe dhe pasiguri.
Që të gjitha kërkojnë një pazar të vështirë midis interesave dhe vlerave konkurruese të SHBA-së. Po si u gjend SHBA-ja në një situatë të tillë kaq delikate, dhe a do ta ndihmonte një kuptim më i mirë i së kaluarës, në gjetjen e një rrugë më pak të rrezikshme për të ecur përpara?
Kjo është pyetja që ngre edhe Sulmaan Wasif Khan në librin e tij të fundit “Lufta për Tajvanin”. Historiani e bën që të qartë përgjigjen e tij që në fillim, duke argumentuar se “nëse duam të shmangim katastrofën, është i nevojshëm një kuptim i plotë i marrëdhënieve trekëndore midis Amerikës, Kinës dhe Tajvanit”.
Ai kritikon presidentët e Kinës dhe SHBA-së për mungesë guximi në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Tajvanit, gjë që do të kishte zbutur njëherë e mirë tensionet që i kanë dëmtuar ndjeshëm marrëdhëniet dypalëshe. Khan thotë se gabimet e Amerikës nisën që nga Konferenca e Kajros e vitit 1943.
Ndërsa udhëheqësit aleatë po planifikonin botën e pasluftës, presidenti amerikan Franklin Roosevelt vendosi t’ia premtonte Tajvanin, në atë kohë i pushtuar ende nga Japonia, udhëheqësit nacionalist të Kinës Çang Kai Shek.
Ai do të bënte mirë të kërkonte një kujdestari ndërkombëtare apo të SHBA-së, që sipas Khan do ta kishte penguar Tajvanin të shndërrohej në një mollë sherri në luftën civile midis nacionalistëve të Çang dhe komunistëve të Mao Ce Dunit. Gabimet e Uashingtonit vazhduan.
Presidenti Harry Truman mbajti një qasje neutrale ndaj pretendimeve konkurruese të Çang dhe Maos, duke mos kënaqur asnjërën palë gjatë Luftës Koreane dhe krijuar terrenin për tensionet e zgjatura midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Edhe presidenti Richard Nixon dhe Sekretari i tij i Shtetit Henry Kissinger, të vlerësuar për rivendosjen e raporteve midis SHBA-së dhe Kinës, fajësohen për mungesën e qartësisë strategjike. Khan e kritikon Komunikatën e Shangait, një deklaratë e përbashkët e publikuar në fund të udhëtimit të Nixon-it në Kinë në vitin 1972, që nuk përmendte çështjen e Tajvanit.
Në atë rast SHBA-ja humbi “shansin më të mirë për t’ia kthyer ishullin Pekinit, duke e zgjidhur një herë e përgjithmonë këtë çështje”. Vetëm presidenti Jimmy Carter vlerësohet për “vendosmërinë” e tij në anulimin e paktit të mbrojtjes SHBA-Tajvan, në favor të njohjes së Kinës komuniste.
Por Kongresi miratoi më vonë Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin e vitit 1979, që theksonte se çdo kërcënim ndaj Tajvanit do të përbënte “një shqetësim të madh për Shtetet e Bashkuara” dhe parashikonte vazhdimin e shitjes së armëve tek ishullit rebel.
Por Khan fajëson edhe udhëheqësit e Kinës për gabime të përsëritura. Ai përmend këmbënguljen e tyre të vazhdueshme, se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës, edhe pse kohë më parë u pajtuan me pavarësinë e Mongolisë, që dikur ishte gjithashtu një rajon perandorak i dinastisë Qing.
Sigurisht, për ata që mbrojnë politikën amerikane, pasiguria është një virtyt dhe jo ves. E tallur shpesh si një “paqartësi strategjike”, ajo e Uashingtonit është në fakt një strategji e nuancuar që ka promovuar sjelljen e matur në të dy anët e Ngushticës së Tajvanit, duke refuzuar të specifikojë se në çfarë rrethanash mund të ndërhyjë ushtarakisht në një konflikt midis Taipeit dhe Pekinit.
Prandaj, politikës së SHBA-së ndaj Tajvanit i mungojnë detyrimet kategorike. Nuk ka asnjë angazhim kolektiv të mbrojtjes, si në Nenin 5 të NATO-s apo traktatin amerikano-japonez të sigurisë.
Përkundrazi, në përputhje me Aktin e Marrëdhënieve të Tajvanit, Shtetet e Bashkuara angazhohen ta trajtojnë “çdo përpjekje për të përcaktuar të ardhmen e Tajvanit me mjete të tjera përveç atyre paqësore, si një kërcënim për paqen dhe sigurinë e zonës së Paqësorit Perëndimor dhe një shqetësim të madh për Shtetet e Bashkuara”.
Po ashtu, akti angazhon Shtetet e Bashkuara që ta furnizojnë Tajvanin me pajisje ushtarake mbrojtëse. Ky ligj mbron në thelb qasjen e SHBA-së për “Një Kinë”. Sipas kësaj politike, Uashingtoni nuk i ofron Tajvanit asnjë njohje zyrtare diplomatike, edhe pse zyrtarët amerikanë bashkëpunojnë ngushtë me homologët e tyre tajvanezë për një sërë çështjesh, nga shëndeti publik dhe ekonomia deri tek çështjet ushtarake dhe të sigurisë.
Po ashtu, nuk ofron asnjë mbështetje për anëtarësimin e Tajvanit në OKB apo në organizatat ndërkombëtare, për të cilat “të qenit shtet” është një kriter, por është dakord që ishulli të luajë një rol aktiv në shumë marrëveshje shumëpalëshe, dhe i inkurajon vendet e tjera që të kenë lidhje të plota diplomatike me Tajvanin, edhe pse vetë SHBA-ja nuk e bën këtë.
Por kjo qasje e paqartë ka edhe kostot e veta. Sepse ajo mund të inkurajojë kundërshtarët dhe të shqetësojë miqtë. Deri dje politika amerikane ka pasur sukses, pjesërisht sepse të gjitha palët ishin të kënaqura ta shtynin për më vonë një zgjidhje përfundimtare, duke besuar se koha ishte në anën e tyre.
Për dekada me radhë, udhëheqësit e Kinës kanë shpresuar se dinamika dhe zhvillimi ekonomik gjithnjë e më i madh do ta bënte bashkimin gjithnjë e më joshës për popullin e Tajvanit, dhe më të pranueshëm për Shtetet e Bashkuara.
Edhe në SHBA, mendohej se kalimi i kohës do të ngushtonte dallimet midis Tajvanit dhe kontinentit, në mënyrë që të dyja palët të arrinin në një mirëkuptim, në të cilin Tajvani mund të ruante demokracinë e tij dhe respektin për të drejtat e njeriut, ndoshta nën qasjen “Një vend, dy sisteme”.
Sot, shumë njerëz thonë se situata është shumë më ndryshe, dhe asnjë nga të treja palët që nuk besojnë se koha është në anën e tyre. Nga këndvështrimi i disave në Shtetet e Bashkuara dhe në Tajvan, fuqia ushtarake dhe ekonomike në rritje e Kinës nënkupton se shumë shpejt Pekini do të ketë aftësinë për të mbizotëruar në një konflikt ushtarak.
Sipas këtij kampi, vetëm duke forcuar shumë parandalimin përmes një angazhimi të qartë ndaj mbrojtjes së Tajvanit, përfshirë mbështetjen ushtarake dhe politike, mund të pengohet vendosja e ishullit nën kontrollin e Kinës. Ndërsa nga këndvështrimi i Pekinit, tendencat politike në Taipei dhe Uashington po lëvizin në drejtimin e gabuar.
Në janar të këtij viti, votuesit e Tajvanit zgjodhën si president Lai Ching-te, një udhëheqës të cilin Pekini e konsideron shumë më pro-pavarësisë se paraardhësi i tij, Tsai Ing-wen. Kjo, së bashku me mbështetjen gjithnjë e më të fortë të Kongresit Amerikan për Tajvanin, do të thotë se ishulli rrezikon të rrëshqasë nga kontrolli i Pekinit.
Por sa më shumë që Kina i tregon muskujt Tajvanit, aq më shumë Shtetet e Bashkuara promovojnë shitjet e armëve dhe vizitat e Kongresit në Tajvan për të forcuar parandalimin. Dhe sa më shumë ta bëjë këtë, aq më shumë Kina ndjen nevojën për të përshkallëzuar kërcënimet e saj për të parandaluar veprimet e ardhshme.
Ajo do të përdorë forcën, vetëm nëse do të jetë e sigurt se do të fitojë, por kush mund ta përjashtojë mundësinë e një aventure? Duke pasur parasysh dyshimet nga të gjitha anët, ruajtja e statuskuosë nuk është e lehtë. Por çdo rezultat që kënaq plotësisht njërën palë, do të ishte i papranueshëm për një tjetër. Prandaj qëllimi i Uashingtonit, duhet të jetë gjetja e një status quo-je me të cilën mund të bashkëjetojnë të gjitha palët./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”
Shënim: James B.Steinberg, dekan i Shkollës së Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins. Ai ka mbajtur postet e zëvendës/Sekretarit të Shtetit në vitet 2009-2011 dhe të zv/Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në vitet 1996-2000.
Lini një Përgjigje