
Takim i pazakontë i Pentagonit: A po përgatitet një ‘spastrim’ në radhët ushtarake?
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të mbledhë javën e ardhshme në bazën ushtarake të Marinës në Quantico, Virxhinia, qindra gjeneralë, admiralë dhe oficerë të lartë nga të gjitha degët e ushtrisë amerikane dhe nga misionet jashtë vendit. Takimi është urdhëruar me direktivë zyrtare, por pa asnjë shpjegim për arsyet, duke shkaktuar shqetësim dhe konfuzion në strukturat ushtarake dhe të sigurisë.
Ky është një veprim tërësisht i pazakontë. As vetë komandantët më të lartë dhe stafet e tyre nuk janë informuar për qëllimin e këtij grumbullimi, që përfshin drejtuesit e të gjitha komandave amerikane në Europë, Lindjen e Mesme, Azi-Paqësor dhe rajone të tjera kyçe. Përfshirja e figurave kaq të rëndësishme në një mbledhje të vetme, larg zonave të krizës, ka ngjallur shqetësime për sigurinë dhe për përkohësinë e boshllëqeve që mund të krijohen në terren.
Zëdhënësi i Pentagonit e ka konfirmuar mbajtjen e takimit, por nuk ka dhënë asnjë detaj mbi përmbajtjen, temat ose synimet e tij.
Ky zhvillim vjen në një klimë tensioni të brendshëm në Departamentin e Mbrojtjes, ku Hegseth ka nisur një reformë të thellë strukturore. Në muajin maj, ai njoftoi planet për të shkurtuar së paku 20% të korpusit të gjeneralëve dhe admiraleve, rreth 100 nga 800 që shërbejnë në SHBA dhe jashtë saj. Paralelisht, administrata amerikane ka paralajmëruar reduktime drastike të personelit federal në rast të një bllokimi të buxhetit nga Kongresi më 1 tetor.
Ndërkohë, është në përgatitje edhe një strategji e re kombëtare për mbrojtjen dhe sigurinë, ku Departamenti i Mbrojtjes mund të rikonceptohet si “Departamenti i Luftës”, me fokus të rritur tek siguria e brendshme. Prioritet pritet të jetë vendosja e trupave në territorin amerikan për të adresuar çështje të brendshme, si emigracioni dhe mbrojtja kufitare, një kthesë nga strategjia e dekadës së fundit që e kishte vënë theksin te konkurrenca me Kinën dhe operacionet jashtë vendit.
Një pjesë e analistëve besojnë se mbledhja në Quantico mund të jetë pikërisht për të prezantuar këtë kthesë strategjike, por shumë zëra brenda Pentagonit kanë frikë se takimi do të shoqërohet me një tjetër valë shkarkimesh apo riemërimesh drastike.
Këto shqetësime nuk janë të pabaza. Vetëm muajin e kaluar, Hegseth shkarkoi pa shpjegim disa figura kyçe të aparatit të sigurisë: gjeneralin Jeffrey Kruse, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes; zëvendësadmiralen Nancy Lacore dhe disa komandantë të tjerë.
Menjëherë pas marrjes së detyrës, ai shkarkoi edhe një sërë drejtuesish të lartë të emëruar në administratën e mëparshme, përfshirë shefin e shtabit të ushtrisë amerikane, gjeneralin Charles Q. Broën Jr.; shefen e operacioneve të marinës, admiralen Lisa Franchetti; komandanten e Gardës Bregdetare, admiralen Linda Fagan; si dhe zëvendësshefin e shtabit të forcave ajrore. Në listë kishte dukshëm shumë gra, çka ka ngjallur kritika të tjera mbi natyrën selektive dhe ideologjike të reformës.
Ndërkohë që takimi në Quantico pritet të mbahet ditët në vijim, mungesa totale e transparencës ka shtuar tensionin dhe pasigurinë në qarqet ushtarake amerikane. Në mungesë të një komunikimi të qartë, ajo që mbetet është frika për një riorganizim të thellë, që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si SHBA menaxhon sigurinë e saj kombëtare dhe ndërkombëtare. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje