
Një sulm i tmerrshëm që ka prishur qetësinë e një qyteti të vogël në jug të Francës. Hetuesit po ndjekin të gjitha pistat, por po përqendrohen në një larje hesapesh të mundshme.
Një dasmë u shndërrua në tragjedi në Goult, një qytet i vogël me rreth një mijë banorë në Vaucluse në Francën jugore. Natën midis të shtunës dhe të dielës, rreth orës 4:30 të mëngjesit, një grup burrash të armatosur me fytyrat e mbuluara hynë në dasmë dhe hapën zjarr mbi çiftin e sapomartuar. Nusja u vra, së bashku me një nga sulmuesit. Tre persona të tjerë, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar, u plagosën rëndë.
Sipas burimeve pranë hetimit, dhe të raportuara nga gazeta Le Parisien, sulmuesit, të paktën 4 burra që lëviznimin me një Volkswagen Golf, pritën derisa çifti ishte gati të largohej nga festa për t’a sulmuar. Të shtënat u qëlluan nga afër, duke shkaktuar panik tek të ftuarit. Në një përpjekje të dëshpëruar për t'u arratisur, dhëndri e ktheu makinën prapa dhe shtypi njërin nga autorët e vrasjes, i cili vdiq në vend. Viktimat e tjera u goditën drejtpërdrejt nga të shtënat.

Patrulla të shumta të xhandarmërisë ndërhynë në vendngjarje dhe një operacion i gjerë kërkimi u nis në zonë për të gjetur autorët që po iknin. Autoritetet kanë hapur një hetim, aktualisht i klasifikuar si një "larje hesapesh" e mundshme.
Informacioni i parë që ka dalë në dritë e lidh bashkëshortin e viktimës (nuses) me një precedent penal: burri, një anëtar i komunitetit maroken, është i njohur për forcat e rendit për trafik droge dhe lidhje kriminale. Ky detaj përforcon hipotezën e një veprimi të planifikuar me motiv kriminal, megjithëse, theksojnë hetuesit, për momentin nuk po përjashtohen asnjë pista.
Episodi dramatik ka tronditur thellësisht komunitetin vendas, ku ngjarje të ngjashme janë të rralla. Goult, i njohur për qetësinë e tij dhe si një destinacion për turizmin rural, u zgjua në kaosin e një skene të Perëndimit të Egër.
Hetimi është ende duke vazhduar, ndërsa tre të plagosurit po luftojnë për jetën e tyre në spitalet e rajonit.
Lini një Përgjigje