Urdhri i dhënë nga presidenti Donald Trump ka qenë i qartë, për të mos shënjestruar civilët.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth ka reaguar për sulmet e mbrëmshme teksa tha se goditja e tre centraleve kishte për qëllim “degradimin” dhe “shkatërrimin” e aftësive bërthamore të Iranit.
Në një deklaratë për shtyp, teksa tregoi detaje nga sulmi, ai tha se SHBA shkatërroi programin bërthamor iranian, por nuk ndikoi te trupat apo civilët iranianë.
Goditjet u përqendruan në instalacionet kryesore në Fordo, Natanz dhe Isfahan, ku janë përdorur raketa Tomahawk dhe bomba të specializuara për depërtim në bunkerë të nëndheshëm. Presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë të shkurtër, e përforcoi këtë mesazh duke theksuar: “Fordo nuk ekziston më” – ndërkohë që siguroi se nuk pati humbje jete në anën iraniane.
Hegseth tha se shumë presidentë ‘ëndërronin t’i jepnin goditjen përfundimtare programit bërthamor të Iranit, por askush nuk mundi derisa e bëri Trump’. Ai shton se operacioni ndaj Iranit ishte “i guximshëm dhe brilant”.
“Kur Presidenti Trump flet, bota duhet të dëgjojë. Ushtria amerikane është ushtria më e fuqishme që bota ka njohur ndonjëherë - asnjë vend tjetër në planetin Tokë nuk do të kishte mundur të kryente operacionin e mëngjesit të sotëm”, deklaroi Hegseth në Pentagon.
Hegseth theksoi se presidenti Trump ka deklaruar për më shumë se një dekadë se "Irani nuk duhet të ketë një armë bërthamore" dhe falë vendimit të mbrëmshëm, ambiciet bërthamore të Iranit janë zhdukur.
Megjithatë, Presidenti Trump "kërkon paqe", vazhdon Hegseth, duke shtuar se Irani "duhet të zgjedhë atë rrugë".
Sekretari i mbrojtjes theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të hakmerret, ashtu siç theksoi presidenti mbrëmë.
"Çdo amerikan i përfshirë në këtë operacion performoi pa asnjë problem dhe dua t'u jap mirënjohje edhe aleatëve tanë në Izrael. Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë, por më lejoni të jem i qartë - ne do të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri kur njerëzit tanë, partnerët tanë ose interesat tona kërcënohen", tha ai.
I pyetur nëse qëllimi ishte apo është ndryshimi i regjimit, Pete Hegseth, tha se “ky mision nuk kishte dhe nuk ka pasur të bëjë me ndryshimin e regjimit”. Sekretari i mbrojtjes tha gjithashtu se SHBA mbrojti interesat kombëtare dhe aleatin tonë, Izraelin.
“Presidenti autorizoi një operacion preciz për të neutralizuar kërcënimet ndaj interesave tona kombëtare të paraqitura nga programi bërthamor iranian dhe vetëmbrojtjen kolektive të trupave tona dhe aleatit tonë, Izraelit”, u shpreh ai.
Por a ka SHBA kontakte me Iranin? Hegseth deklaroi se kishte mesazhe publike dhe private që u dërgoheshin drejtpërdrejt iranianëve.
Ai tha se Teherani dhe Uashingtoni ishin në kontakt nëpërmjet Omanit. Hegseth shtoi se: “Irani e kupton saktësisht se cili është qëndrimi amerikan, saktësisht se çfarë hapash mund të ndërmarrin për të lejuar paqen”.
Lini një Përgjigje