TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2026, 07:50

Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimet, SHBA pezullon përkohësisht sanksionet ndaj Rusisë

Shkruar nga Pamfleti

Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimet, SHBA pezullon

Uashingtoni ka lehtësuar përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse në det, mes përpjekjeve të administratës Trump për të ndalur rritjen e çmimeve dhe pasiguritë mbi furnizimin global.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të lehtësojnë përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse që ndodhet aktualisht në transport detar, në përpjekje për të stabilizuar tregjet globale të energjisë dhe për të ulur presionin mbi çmimet.

Vendimi u njoftua nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili bëri të ditur se është dhënë një autorizim i përkohshëm 30-ditor që u lejon vendeve të blejnë naftë ruse që ndodhet tashmë në tranzit.

Sipas tij, administrata e presidentit Donald Trump synon të frenojë rritjen e çmimeve të energjisë, ndërsa në SHBA çmimi mesatar i karburantit është rritur me rreth 65 cent për galon gjatë muajit të fundit.

Bessent theksoi se masa është e kufizuar dhe nuk pritet t’i sjellë përfitime të mëdha financiare Rusisë, pasi shumica e të ardhurave të saj nga energjia sigurohen përmes taksave të vendosura në momentin e prodhimit.

"Trump po punon për të mbajtur çmimet e ulëta. Kjo masë e kufizuar dhe afatshkurtër zbatohet vetëm për naftën që është tashmë në tranzit. Vendimi nuk do të sjellë përfitime të konsiderueshme financiare për qeverinë ruse”, tha ai.

Megjithatë, tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të jenë të tensionuara. Çmimi i naftës Brent, standardi global i referencës, qëndroi mbi 100 dollarë për fuçi gjatë tregtimit të hershëm të së premtes.

Kjo rritje vjen në një moment kur shqetësimet për furnizimet globale janë shtuar për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tensioneve mes SHBA-Izrael dhe Iranit.

Ngushtica e Hormuzit në qendër të krizës

Situata është përkeqësuar edhe nga tensionet në ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, përmes së cilës kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit.

Edhe pse administrata amerikane ka premtuar të shoqërojë cisternat që kalojnë në këtë zonë, trafiku detar nuk është rikthyer ende në nivelet normale.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se nuk do të lejojë eksportin e naftës nga rajoni ndërsa vazhdojnë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

Javën e kaluar, Uashingtoni autorizoi gjithashtu rafineritë indiane të blejnë përkohësisht naftë ruse për 30 ditë, një vendim që shënon një ndryshim nga deklaratat e mëparshme të Trump, i cili kishte pretenduar se India do të ndalonte blerjen e saj.

Sipas raportimeve të Fox News, deri të enjten në det ndodheshin rreth 124 milionë fuçi naftë me origjinë ruse në anije cisternë në mbarë botën.

Pas njoftimit të Bessent, çmimi i naftës Brent u rrit me 0.3% duke arritur në 100.74 dollarë për fuçi, pasi kishte kaluar pragun e 100 dollarëve më herët gjatë javës për herë të parë që nga pushtimi rus i Ukrainës katër vite më parë.

Moska reagoi duke deklaruar se është gjithnjë e më e pashmangshme që SHBA të zbusë sanksionet ndaj sektorit energjetik rus. I dërguari ekonomik rus, Kirill Dmitriev, tha se pa naftën ruse tregu global i energjisë nuk mund të mbetet i qëndrueshëm.

Megjithatë, disa aleatë perëndimorë të Uashingtonit kanë kundërshtuar këtë qasje. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se bllokimi i ngushticës së Hormuzit nuk justifikon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Paraliza e ngushticës së Hormuzit nuk justifikon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, tha ai.

Në përpjekje për të stabilizuar tregun, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka vendosur lirimin e 400 milionë fuçive naftë nga rezervat emergjente, vendimi më i madh i këtij lloji në historinë e organizatës.

Megjithatë, tensionet në rajon vazhdojnë të rrisin pasigurinë. Irani ka paralajmëruar se çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi, ndërsa sipas raportimeve të mediave amerikane janë vendosur edhe mina në ngushticën e Hormuzit.

Presidenti Trump është përpjekur të minimizojë shqetësimet për çmimet e larta të energjisë, duke theksuar se SHBA është prodhuesi më i madh i naftës në botë.

Megjithatë, me zgjedhjet e mesit të mandatit që afrohen në nëntor, rritja e çmimeve të karburantit mund të shndërrohet në një sfidë politike për administratën e tij dhe për republikanët që mbajnë një shumicë të ngushtë në Kongres./ Përshtati "Pamfleti" nga "The Guardian"

Lini një Përgjigje