
Hezbollahu ka deklaruar se ka rrëzuar një dron izraelit dhe ka qëlluar ndaj tankeve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në territorin e Libanit gjatë ditës së sotme.
Në një deklaratë, grupi tha se “në përgjigje të agresionit kriminal izraelit, Rezistenca Islamike rrëzoi një dron izraelit në qiellin e Nabatiyeh, duke përdorur armë të përshtatshme”.
Në një tjetër njoftim, Hezbollahu pretendoi gjithashtu se ka goditur tanke izraelite të tipit Merkava pranë fshatrave Kfar Shouba dhe Kfarkela, në jug të Libanit.
Deri në publikimin e këtij lajmi, IDF nuk ka reaguar zyrtarisht mbi pretendimet e bëra nga grupi libanez dhe nuk ka konfirmim të pavarur për rrëzimin e dronit apo dëmet e mundshme.
Më herët gjatë ditës, Hezbollahu mori përgjegjësinë për lëshimin e dhjetëra raketave dhe disa dronëve drejt veriut të Izraelit. Këto zhvillime ndodhin në një kontekst përshkallëzimi të tensioneve, pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, i cili konsiderohet mbështetës i Hezbollahut.
Një zyrtar i lartë i grupit ka paralajmëruar se, nëse Izraeli synon një “luftë të hapur”, Hezbollahu është i gatshëm për një përballje të tillë.
Konflikti, i cili nisi me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, ka përfshirë tashmë disa aktorë në rajonin e Gjirit dhe më gjerë në Lindjen e Mesme, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim më të gjerë rajonal.
Lini një Përgjigje