Bota25 Mars 2023, 14:46

SHBA goditet nga një tornado e fuqishme, raportohen 23 të vdekur në Misisipi

Shkruar nga Pamfleti

SHBA goditet nga një tornado e fuqishme, raportohen 23 të vdekur

Një tornado ka goditur Misisipin dhe Alabamën, duke vrarë të paktën 23 persona në Misisipi. Stuhia e fuqishme ka shkatërruar ndërtesa dhe ka rrëzuar linja elektrike.

Shumë njerëz mendohet se janë bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Për shkak se tornadoja ka lëvizur drejt disa shteteve jugore amerikane, autoritetet kanë paralajmëruar se në disa vende situata mund të jetë “kërcënuese për jetë”.

Tornado shkaktoi shkatërrim në disa qytete rurale, ku pemët dhe linjat e energjisë u shkatërruan dhe u raportua për ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona. Disa shtete të tjera jugore janë gjithashtu të përgatitur për stuhi të fuqishme.

Nuk është ende e qartë nëse një apo disa tornado goditën zonën. Banorët e Rolling Fork, një qytet i vogël në Misisipin perëndimor, thanë se një tornado shpërtheu dritaret nga pjesa e pasme e shtëpive të tyre. Dëmet në zonë raportohen të jenë veçanërisht të rënda.

Shërbimi Kombëtar amerikan i Motit konfirmoi se tornadoja ka shkatërruar disa pjesë në Misisipi. Në dy qyteza rurale të këtij shteti është raportuar se tornadoja ka arritur në 113 kilometra në orë dhe është nisur drejt Alabamës.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar alarm për stuhinë duke u bërë thirrje qytetarëve: “Për të mbrojtur jetën tuaj, strehohuni tani.Banorët mund të lëndohen për shkak të objekteve që mund të fluturojnë për shkak të erërave të fuqishme. ”

Qendra për Parashikimin e Stuhive paralajmëroi se disa pjesë të Arkansasit, Luizianës, Misisipit dhe Tenesisë mund të përballen me tornado të fuqishme. Stuhi po ashtu është paraparë të godasin lindjen e Teksasit dhe juglindjen e Oklahomës, por edhe juglindjen e Mizurit dhe jugun e Illinojsit.

Sipas autoriteteve, të premten mbi 49.000 banorë kanë mbetur pa energji elektrike në Arkansas, Misisipi dhe Tenesi.

 

shba misisipi