Bota25 Mars 2023, 12:36

Urdhër arresti për Putin, Kremlini kërkon ndalimin e aktivitetit të Gjykatës së Hagës në Rusi

Shkruar nga Pamfleti

 

Urdhër arresti për Putin, Kremlini kërkon ndalimin e aktivitetit

Kryetari i Parlamentit të Rusisë, Vyacheslav Volodin ka propozuar ndalimin e aktiviteteve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, pasi kjo gjykatë lëshoi urdhër arrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për krime lufte.

Vyacheslav Volodin, aleat i Putinit tha se legjislacioni rus duhet të ndryshohet për të ndaluar çdo aktivitet të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Rusi dhe për të ndëshkuar këdo që jep “asistencë dhe ndihmë” për këtë gjykatë me seli në Hagë.

“Është e nevojshme të punojmë në ndryshimet e legjislacionit për të ndaluar çdo aktivitet të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në territorin e shtetit tonë”, tha Volodin përmes një postimi në Telegram.

Ai solli në vëmendje  se Shtetet e Bashkuara kanë rregulluar ligjin që ndalon që qytetarët amerikanë të gjykohen nga kjo gjykatë dhe se Rusia duhet të veprojë në këtë drejtim. Volodin theksoi se çdo asistim apo mbështetje për këtë gjykatë duhet të dënohet me ligj.

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër arrestim më herët gjatë këtij muaji, duke e akuzuar Putinin për krime lufte, përkatësisht për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Gjykata tha se ka arsye të bazuara të besojë se Putini mban përgjegjësi individuale kriminale.

Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar kundër përpjekjeve për ta arrestuar Putinin, që është lider i Rusisë që nga viti 1999. Ata kanë thënë se arrestimi eventual i tij do të përbënte shpallje lufte kundër fuqisë më të madhe bërthamore në botë.

rusi gjykata penale nderkombetare ukrain