TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Mars 2025, 11:01

Tragjedia në Koçan, flakëve nuk u shpëtuan as fëmijët; familjarët në kërkim të tyre

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedia në Koçan, flakëve nuk u shpëtuan as
Tragjedia në Koçan

Maqedonia e Veriut është tronditur nga një tragjedi që ka ndodhur në Koçan. Gjatë orëve të para të mëngjesit atje shpërtheu një zjarr në një klub nate. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se deri më tani të paktën 51 persona kanë humbur jetën.  

Nuk dihet saktë as numri i të plagosurve, por mediat raportojnë se bëhet fjalë për të paktën 100 të lënduar. Një pjesë e tyre po marrin mjekim në Shkup. Zjarrit nuk i kanë shpëtuar edhe të mitur që kanë djegie në fytyrë dhe duar sipas autoriteteve.

Këtë mëngjes, shumë njerëz shkuan në vendin e ngjarjes. Disa në kërkim të familjarëve të tyre, pasi nuk e dinë nëse janë gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Në vijim pritet që autoritetet të dalin në një deklaratë për të zbuluar më shumë detaje rreth kësaj tragjedie.

Si nisi zjarri?
Deri më tani autoritetet nuk e kanë treguar se çfarë e shkaktoi zjarrin dhe si u përhap. Mirëpo sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga grupi maqedonas ADN.

Gjatë kohës së shpërthimit të flakëve, diskoteka ka qenë e mbushur me njerëz. Rreth 1500 persona mendohet se kanë qenë të pranishëm.

Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar në ndihmë me dhjetëra ambulanca nga Shkupi ndërkohë që u aktivizua për ndihmë edhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme.

 

tragjedia në koçak flakëve nuk u shpëtuan as fëmijët

Lini një Përgjigje