
Autoritetet amerikane, thonë se vetëm në Kinë mund të ketë deri në 160.000 kompani kimike të ligjshme ose jo, që prodhojnë lëndën e parë për të gjithë drogat sintetike. Ato bashkëpunojnë me kartelet meksikane por edhe me të gjitha organizatat e mëdha të krimit të organizuar.
Qendra e gravitetit të sistemit global të prodhimit të drogës sintetike, është gjithnjë e më e orientuar drejt Kinës dhe Indisë. Pikërisht nga këto 2 vende të mëdha, krimi i organizuar merr lëndën e parë prej nga ku prodhon më pas lloje të ndryshme drogash.
Po flasim për kimikate që nuk lidhen domosdoshmërisht me prodhimin e substancave të paligjshme psikoaktive. Sepse prej tyre merren edhe produkte të ligjshme, si ilaçet, plastika, kozmetika…
Ndaj krimi i organizuar merr shumë rrallë përsipër prodhimin e këtyre substancave - gjë që do ta mbingarkonte infrastrukturën e tij të prodhimit - duke preferuar të marrë furnizime nga tregu i ligjshëm, dhe më pas t’i përdorë ato për interesat e veta.
Sipas Agjencisë së Zbatimit të Ligjit Kundër Drogave, DEA, Kina dhe India janë në krye të listës së vendeve prodhuese të lëndëve të para në përgjithësi, dhe konkretisht të atyre të nevojshme për përpunimin e drogës fentanilit sipas metodës Siegfried, pra 4-anilin-N-fenetilpiperidina (ANPP) dhe N-fenetil-4-piperidona (NPP), përveç substancave me një strukturë të ngjashme me produktin e kërkuar, siç është për shembull butirfentanili.
Metodat e fshehjes dhe transportimit të këtyre produkteve, përfshijnë teknika gjithnjë e më të sofistikuara, duke filluar nga përdorimi i shpërndarësve të mallrave me bazë në SHBA, etiketat dhe faturat e rreme, apo tarifat postare dhe paketimet mashtruese.
Prodhuesit komunikojnë rregullisht me klientët potencialë në platforma të kriptuara dhe pranojnë pagesa në kriptomonedha, duke zvogëluar kështu rrezikun e zbulimit nga autoritetet.
Kartelet meksikane të Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación (CJNG), dy prodhuesit dhe trafikantët më të mëdhenj të fentanilit në botë, furnizohen direkt nga furnitorët kinezë dhe indianë përmes një rrjeti të ndërlikuar ndërmjetësish, me qëllim maskimin e çdo gjurme të mundshme të dobishme për hetuesit ndërkombëtarë.
DEA Insight Crime, kreu një hetim 2-vjeçar duke identifikuar ndër të tjera, të paktën 188 kompani kimike kineze që prodhojnë dhe tregtojnë lëndë të para për prodhimin e narkotikëve. 63 për qind e tyre janë të përqendruara në provincat Hebei dhe Hubei, së bashku me Guangdong dhe Zhejiang, të cilat janë ndër provincat kineze me të ardhurat më të larta për frymë.
Vetëm në qytetin Shenzhen në rajonin Guangdong, u numëruan në vitin 2015 më shumë miliarderë se sa në të gjithë Italinë. Në qershorin e vitit 2022, qeveria qendrore në Pekin, kreu operacionin “100 Ditët”, për të goditur bandat dhe rrjetet e krimit të organizuar në Hebei pas një vale incidentesh të dhunshme.
Ministria e Sigurisë Publike, arrestoi më shumë se 27.000 persona në këtë provincë, regjistroi 297 krime të lidhura me drogën, shkatërroi 41 banda lokale dhe nisi hetimin ndaj 15 zyrtarëve publikë të akuzuar për mbrojtjen e këtyre organizatave kriminale, raportoi Global Times, agjencia kineze e lajmeve në gjuhën angleze.
Gjatë dekadës së fundit, industria biofarmaceutike në Kinë, ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme. Parashikimet flasin për një rritje të mundshme nga 345.7 miliardë juan (47.60 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2020, në 811.6 miliardë juan (111.76 miliardë dollarë amerikanë) këtë vit.
Pra një rritje me 135 për qind brenda 5 vjetësh. Në mënyrë të ngjashme, kapitalizimi i tregut të kompanive biofarmaceutike kineze u rrit nga 1 miliard dollarë në vitin 2016, në mbi 200 miliardë dollarë në vitin 2020.
Gjatë viteve 2010 - 2020, në Kinë u hapën 141 kompani të reja farmaceutike dhe bioteknologjike, dyfishi në krahasim me një dekadë me herët, duke përfituar nga investimet ndërkombëtare, përfshirë ato nga Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk janë imune ndaj rreziqeve të lidhura me konflikte gjeopolitike të mundshme.
Edhe pse nuk është e mundur të ndalohet tregtimi i këtyre produkteve, ato prapëseprapë mund të japin të dhëna të rëndësishme për devijimin e destinacionit të tyre, duke i çuar hetuesit në zinxhirin global të furnizimit të fentanilit dhe prodhimit të drogave të tjera të paligjshme.
Në Republikën Popullore të Kinës, ekzistojnë disa rregullore mbi këto lëndët kimikë. Këtu përfshihet Rregullorja për Administrimin e Pararendësve Kimikë e miratuar në vitin 2005 nga Këshilli Shtetëror ; Dispozitat mbi Administrimin e Importit dhe Eksportit të Kimikateve Pararendëse, Administrimi i Kontrollit Ndërkombëtar mbi Importin dhe Eksportin e Kimikateve Pararendëse (2006) etj.
Këto rregullore i klasifikojnë kimikatet në 3 kategori: substanca që paraqesin shqetësim shumë të madh, pararendëse, dhe lëndë të tjera të para. Megjithatë, rregulloret mbeten të dobëta në lidhje me kimikatet pararendëse të drogës fentanil.
Zbatimi i këtyre rregullave mbetet i vështirë për t'u monitoruar, veçanërisht në nivel lokal. Mjafton të thuhet, se vetëm në Kinë mund të ketë deri në 160.000 kompani kimike që operojnë ligjërisht ose ilegalisht. Zbatimi i ligjeve ekzistuese për këta sektorë, dëmtohet shpesh nga korrupsioni, i cili përbën një pengesë, veçanërisht për monitorimin e veprimeve të industrialistëve të mëdhenj.
Prandaj, nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar, si dhe politika lokale që nuk synojnë konsumatorët, por mbrojtjen e tyre nga rreziqet dhe dëmet e konsumit. Trafikimi i drogës nuk mund të ndalet me politika jorealiste, që bazohen vetëm tek dënimet e ashpra.
Interesat globale të lidhura me drogat, kërkojnë masa komplekse dhe shumëdrejtimëshe. Moskuptimi ose injorimi i të gjithë këtyre faktorëve, do të thotë të marrësh përsipër një bashkëfajësi, e cila është ndoshta indirekte, por sigurisht jo më pak fajtore, se ata që nuk janë të gatshëm të pajtohen me narrativat banale dhe ideologjike mbi konsumin dhe varësinë patologjike nga drogat./Marrë nga “Affari Internazionali”, përshtati "Pamfleti"
*Shënim: Anna Paola Lacatena, sociologe në Departamentin e Varësive Patologjike ASL në Taranto, Itali.
Lini një Përgjigje