Mesazhi është i qartë. Washingtoni pret që Roma të bashkohet. Një vendim ndryshe, sipas burimeve diplomatike, do të zhgënjente drejtpërdrejt presidentin Trump.
Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një mesazh të qartë përmes Departamentit të Shtetit, qeverisë së Giorgia Melonit.
Washingtoni do që Italia të bëhej pjesë e programit PURL (Lista e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës, PURL), listës së kërkesave të prioritare për mbrojtjen e Ukrainës. Edhe pse administrata Trump po përpiqet të ruajë marrëdhëniet e mira me qeverinë e Giorgia Melonit, pritshmëria amerikane është e hapur dhe e paekuivokë.
PURL konsiderohet sot si një ndër mekanizmat qendrorë të politikës amerikane të ndihmës ushtarake për Kievin. Ndryshe nga koha e Joe Bidenit, ku ndihmat jepeshin pa kushte ekonomike, presidenti Trump kërkon një model të ri: aleatët europianë të blejnë armë të prodhuara në SHBA dhe ato t’i kalohen ushtrisë ukrainase. Në Uashington nuk e fshehin se një refuzim nga Italia do të shkaktonte befasi dhe zhgënjim.
Programi është ideuar vetë nga Trump. Ai i shërben si garanci politike në skenën e brendshme amerikane për të treguar se SHBA nuk po “shpenzojnë” para, por po përfitojnë nga blerjet e aleatëve. PURL mori rëndësi edhe më të madhe pas tensioneve të fundit me Vladimir Putinin, pas dështimit të takimit të Anchorage. Krahas sanksioneve të reja ekonomike kundër Rusisë, Uashingtoni ka zgjeruar edhe furnizimet me armë për të shtuar presionin mbi Kremlinin.
Gjermania ishte ndër të parat që ndau 500 milionë dollarë për këtë program. Shtetet nordike njoftuan së fundmi një paketë tjetër prej 500 milionë dollarësh. Edhe Italia është ftuar të kontribuojë, me një shumë fillestare rreth 140 milionë euro.
Mirëpo në Romë, çështja është delikate. Qeveria Meloni po e shqyrton vendimin, por pengesat nuk lidhen me financat. Më shumë bëhet fjalë për klimën politike të brendshme: një manovër shtrënguese që po debatohet në Parlament, tensionet me Legën dhe Forza Italian, si edhe frika se opinioni publik mund ta shohë negativisht angazhimin e ri ushtarak.
Ndërkohë, Kievi po ushtron gjithnjë e më shumë presion. Sipas burimeve diplomatike, Ukraina i ka bërë të ditur qeverisë italiane se pa pjesëmarrjen e Romës në PURL, vendi nuk do të ketë mundësi të marrë sistemet Patriot apo Himars, të domosdoshme për mbrojtjen ajrore. Raketat e sistemeve Samp-T të dhuruara nga Italia dhe Franca janë shpenzuar prej muajsh, dhe Roma nuk ka parashikuar furnizime të reja.
Në këtë klimë, anulimi i vizitës në Uashington të ministrit të Mbrojtjes Guido Crosetto ka shtuar dyshimet. Vizita u anulua pas një bisede të tij me kryeministren Meloni, në një moment kur kundërshtimi i Matteo Salvinit ndaj ndihmës për Ukrainën është bërë gjithnjë e më i zëshëm.
Gazeta La Repubblica i kërkoi Departamentit të Shtetit sqarime lidhur me anulimin e vizitës, me rëndësinë e pjesëmarrjes së Italisë në PURL dhe për pasojat e mundshme nëse Italia qëndron jashtë. Zëdhënësi amerikan foli me tone të kujdesshme, duke vënë në pah se SHBA e vlerëson Italinë si aleate të fortë të NATO-s. Por për dy pyetjet e tjera dha një përgjigje të vetme dhe domethënëse: «Do të ishim të kënaqur ta shihnim Italinë pjesë të iniciativës PURL».
Mesazhi është i qartë. Washingtoni pret që Roma të bashkohet. Një vendim ndryshe, sipas burimeve diplomatike, do të zhgënjente drejtpërdrejt presidentin Trump./ Përshtatur nga La Repubblica
Na ka ik fiqiri krejt.