
Qeveria e Spanjës ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili paralajmëroi se Uashingtoni do të “ndërpresë të gjitha marrëdhëniet tregtare” me Madridin.
Autoritetet spanjolle theksuan rolin dhe besueshmërinë e vendit në skenën ndërkombëtare, si dhe përmbushjen e angazhimeve të tij si aleat.
Deklaratat e Trump erdhën pasi qeveria e majtë e kryeministrit Pedro Sánchez refuzoi të lejojë përdorimin e bazave ushtarake spanjolle nga Shtetet e Bashkuara për sulme ndaj Iranit. Madridi i ka cilësuar këto sulme si një “ndërhyrje ushtarake e pajustifikuar dhe e rrezikshme”.
“Spanja ka qenë e tmerrshme. Ne do të ndërpresim të gjithë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi asgjë të përbashkët me Spanjën”, deklaroi sot Trump gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kancelarin gjerman Merz.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu kritikat ndaj vendimit të Spanjës për të mos u bashkuar me disa aleatë të NATO-s në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me kërkesat e tij.
Nga ana tjetër, një burim nga qeveria spanjolle theksoi se Spanja është “një anëtare kyçe e NATO-s” dhe se përmbush detyrimet e saj brenda aleancës. Sipas të njëjtit burim, nëse Uashingtoni dëshiron të rishikojë marrëdhëniet tregtare me Spanjën, kjo duhet të bëhet “duke respektuar autonominë e kompanive private, ligjshmërinë ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar për masa konkrete tregtare nga ana e SHBA-së.
Lini një Përgjigje