TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Shkurt 2026, 21:41

U arrestua për afera korrupsioni, “arrest shtëpie" për Artan Grubin

Shkruar nga Pamfleti
U arrestua për afera korrupsioni, “arrest shtëpie" për
Artan Grubi

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka propozuar arrest shtëpiak dhe bllokim pasaporte për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, i arrestuar mëngjesin e kësaj të hëne në pikën kufitare Bllacë.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën të ditur se shumica e provave në procedurë janë siguruar dhe se i dyshuari është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes. Gjithashtu, theksohet se ekzistojnë indikacione për rrezikim të sigurisë personale të Grubit në paraburgim, të mbështetura me njoftime nga organet kompetente. Sipas Prokurorisë, rreziku i sigurisë lidhet edhe me anëtarët e familjes së tij.

Sa i përket masave për sigurimin e pranisë së të dyshuarit të dytë në vazhdim të procedurës, Prokuroria Themelore Publike Shkup propozoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit…”, thuhet në njoftim, ku argumentohet se nuk ekzistojnë më rrethana që e bëjnë të domosdoshëm paraburgimin.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Grubi u paraqit në hyrje të vendit në orën 06:10 dhe u privua menjëherë nga liria, pasi ndaj tij ishte në fuqi masa “arresto”. Ai u dërgua në mbajtje për procedura të mëtejshme.

Artan Grubi është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të çështjes që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet përfshijnë vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare në vlerë rreth 500 milionë denarë, ose mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Gjykata më herët kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj Grubit, ndërsa ai ishte shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë. Tashmë mbetet në dorë të gjykatës vendimmarrja për kërkesën e re të Prokurorisë për ndryshimin e masës së sigurisë.

artan grubi korrupsion

Lini një Përgjigje