
Një 68-vjeçar shqiptar është arrestuar në Greqi, pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në automjetin e tij.
Arrestimi u krye gjatë një operacioni të organizuar nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë, në kuadër të masave për goditjen e trafikut të drogës.
Sipas mediave greke, pas sigurimit të informacioneve operative, efektivët lokalizuan automjetin e drejtuar nga 68-vjeçari në një zonë të Follorinës dhe ushtruan kontroll ndaj tij.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dy çanta udhëtimi dhe një thes, brenda të cilëve ndodheshin 50 pako me marijuanë, me një peshë totale bruto prej 55 kilogramë e 422 gramë.
Autoritetet greke sekuestruan gjithashtu automjetin e përdorur për transportin e drogës, si edhe tre telefona celularë, të cilët pritet t'i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur destinacionin e lëndës narkotike dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
Lini një Përgjigje