Negociatat pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës, pavarësisht ndërprerjes së shkaktuar nga kërcënimet e presidentit amerikan për bombardimin e Iranit dhe rrëmbimin e ekipit negociator…
Bisedimet e nivelit të lartë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës në Zvicër, pas një fillimi të tensionuar që pa negociatorët iranianë të largoheshin në shenjë proteste ndaj një serie kërcënimesh të publikuara nga Donald Trump në rrjetet sociale.
Presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të bombardonte Iranin dhe madje se do të rrëmbente ekipin negociator iranian nëse nuk rihapej Ngushtica e Hormuzit, duke detyruar ndërmjetësuesit nga Katari dhe Pakistani të vazhdonin negociatat në prapaskenë.
Media shtetërore iraniane njoftoi se bisedimet kishin hyrë në një “fazë të vështirë” dhe u ndërprenë pas “publikimit të një mesazhi fyes nga presidenti amerikan”. Ajo shtoi se delegacioni iranian u takua me ndërmjetësuesit nga Katari dhe më pas u largua nga vendi i negociatave.
Megjithatë, negociatat në nivel të lartë vazhduan dhe përfunduan në orët e para të së hënës, ndërsa Pakistani dhe Katari deklaruan se bisedimet teknike ndërmjet palëve do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, vlerësoi ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit në orët e para të së hënës, duke thënë se ata “kanë sjellë përparim të rëndësishëm”.
Një deklaratë e përbashkët e Katarit dhe Pakistanit njoftoi se SHBA-ja dhe Irani ranë dakord të krijojnë një “linjë komunikimi” për të shmangur incidentet në Ngushticën e Hormuzit dhe të krijojnë një “qendër koordinimi për shmangien e përshkallëzimit” me qeverinë libaneze për të garantuar “respektimin e ndërprerjes së operacioneve ushtarake në Liban”.
Në mesazhin e tij, Araghchi tha se testi i parë real i marrëveshjeve të arritura do të jetë pikërisht ky mekanizëm koordinimi, i krijuar për shkak të luftimeve mes Izraelit dhe milicisë Hezbollah, e mbështetur nga Irani, në Liban.
Javën e kaluar, Irani dhe SHBA-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon heqjen e bllokadës në Ngushticën e Hormuzit, duke hapur rrugën për 60 ditë bisedime mbi programin civil bërthamor të Iranit.
Megjithatë, seria e kërcënimeve agresive të Trumpit në rrjetet sociale dhe intervistat televizive mbërriti deri te vendi i negociatave dhe shkaktoi zemërim te ekipi negociator iranian, i cili deklaroi se këto përbënin një kërcënim të papranueshëm për sigurinë e tyre personale. Ata theksuan se memorandumi i nënshkruar nga Trump javën e kaluar përfshinte një pakt mosagresioni.
Kërcënimet e Trumpit ishin në kontrast të fortë me tonin e përdorur nga nënpresidenti JD Vance, i cili tha se presidenti e kishte ngarkuar të përdorte bisedimet për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Iranin.
Kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi: “vallë nuk mendojnë se po të kishin pasur ndonjë efekt kërcënimet e tyre, nuk do të kishin arritur në dëshpërimin me të cilin përballen sot? Ne nuk i marrim fare parasysh kërcënimet amerikane.”
Megjithatë, delegacioni iranian u ndje i detyruar të largohej përkohësisht në shenjë proteste, pjesërisht për shkak të presionit politik të brendshëm që kërkon nga negociatorët të tregojnë mosbesim ndaj ekipit negociator të Trumpit.
Vance dhe negociatorët amerikanë, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e Trumpit, u takuan me Ghalibafin dhe Araghchin për rreth 80 minuta, sipas mediave shtetërore iraniane.
Irani deklaroi se kishte rivendosur bllokadën në Ngushticën e Hormuzit në shenjë proteste ndaj vazhdimit të sulmeve izraelite në Liban dhe akuzoi Trumpin se po lejonte Izraelin të shkelte memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar javën e kaluar nga presidenti amerikan dhe homologu i tij iranian, Masoud Pezeshkian.
Sipas Iranit, memorandumi kërkon qartë armëpushim në të gjitha frontet, por Izraeli vrau më shumë se 30 persona në sulmet e së shtunës në Libanin qendror dhe jugor.
“Irani duhet të ndalojë menjëherë përfaqësuesit e tij shumë të paguar në Liban që po shkaktojnë probleme,” shkroi Trump në rrjetet sociale, duke shtuar “nëse nuk e bëjnë, do ta godasim përsëri Iranin shumë fort.”
Në një bisedë telefonike 20-minutëshe me Fox News, Trump deklaroi: “mund ta marrim nën kontroll ngushticën, nëse është e nevojshme. Nëse nuk arrijnë marrëveshje, do të vendosim tarifa kalimi.”
Duke iu referuar Ngushticës së Hormuzit, ai dukej se kërcënoi negociatorët iranianë, duke thënë: “po e mbyllët atë, nuk do të keni më vend. Nuk do të arrini as të ktheheni në vendin tuaj.”
Kërcënimet e presidentit amerikan çuan në një protestë zyrtare të iranianëve ndaj ndërmjetësuesve dhe në kërkesën që ajo që ata e përshkruan si “bullizëm” të vihej nën kontroll. Në bisedimet në Zvicër, Vance minimizoi ndikimin e dhunës në Liban, duke thënë se ishte bërë përparim drejt përfundimit të armiqësive.
“Këto procese janë gjithmonë disi të ndërlikuara,” tha ai.
Duke përdorur një ton dukshëm më pajtues se Trumpi, Vance shtoi: “ajo që presidenti na ka kërkuar të bëjmë është të hapim një faqe të re, të transformojmë marrëdhëniet tona me popullin iranian dhe të shtrijmë dorën e bashkëpunimit. Nëse udhëheqja iraniane është e gatshme të heqë dorë nga roli i saj si faktor destabilizues në rajon dhe nga ambiciet afatgjata për armë bërthamore, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të transformojnë rrënjësisht marrëdhëniet me Iranin. Pyetja tani është: sa më shumë mund të arrijmë së bashku? A mund të hapim një kapitull të ri?”
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, tha se bllokada e rinovuar iraniane nuk po kishte asnjë efekt dhe pretendoi se 67 anije kishin kaluar nëpër ngushticë të shtunën, ndërsa 55 të tjera të premten.
Ndikimi praktik i vendimit iranian për ta mbajtur të mbyllur ngushticën mbetet ende për t’u parë. Trump kishte deklaruar javën e kaluar se bota ishte vetëm katër javë larg mungesës së naftës së rafinuar dhe se do të kishte pasur një recesion global nëse ai nuk do të kishte siguruar rihapjen e ngushticës përmes heqjes së bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane të naftës.
Senatori republikan Lindsey Graham, një aleat i afërt i Trumpit, tha: “kalova katër orë e gjysmë me presidentin Trump të premten. Ja çfarë mendoj se do të ndodhë më pas. Nëse kjo marrëveshje dështon, presidenti Trump do ta marrë me forcë Ngushticën e Hormuzit... Ne do të vendosim tarifa për të gjithë ata që e përdorin për të financuar operacionin... dhe nëse Irani kundërshton kontrollin amerikan mbi ngushticën, ne do ta shkatërrojmë.”
Trump po përballet me kritika të ashpra nga mbështetësit amerikanë të Izraelit, të cilët janë zemëruar nga sulmet personale që ai dhe JD Vance kanë drejtuar ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Duke folur në një ceremoni përkujtimore për vëllain e tij të ndjerë Yonatan, Netanyahu tha se Izraeli do të “mbetet në zonën e sigurisë në jug të Libanit për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke iu referuar një zone deri në rreth 10 kilometra nga kufiri që Izraeli e ka nën kontroll.
Ai përsëriti gjithashtu se “nuk do të lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore”. Irani këmbëngul se bisedimet duhet të përqendrohen te armëpushimi në Liban, kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, heqja e sanksioneve amerikane ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe zhbllokimi i aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Kreu i delegacionit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka marrë me vete drejtorin ekzekutiv të Kompanisë Kombëtare të Naftës së Iranit dhe kreun e Bankës Qendrore të Iranit, gjë që tregon se çështjet teknike të heqjes së sanksioneve dhe transferimit të fondeve të ngrira janë në qendër të prioriteteve iraniane.
Delegacioni iranian refuzoi të shfaqej para kamerave së bashku me delegacionin amerikan të udhëhequr nga JD Vance, Jared Kushner dhe i dërguari special amerikan Steve Witkoff. Megjithatë, të dy delegacionet u filmuan për pak çaste në të njëjtën sallë, ndërsa bisedimet e pasdites u zhvilluan në format katërpalësh mes Iranit, SHBA-së, Pakistanit dhe Katarit.
Katari mbetet i përfshirë thellësisht në proces si bashkëndërmjetësues së bashku me Pakistanin.
Në Zvicër ndodhej edhe drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi. Megjithatë, delegacioni iranian dëshiron të shtyjë diskutimet për inspektimet e ardhshme të objekteve bërthamore deri pasi të zgjidhen mosmarrëveshjet mbi sanksionet.
Qëllimi është që çështjet bërthamore, përfshirë nivelin e ndërhyrjes dhe shpeshtësinë e inspektimeve të IAEA-s, të zgjidhen brenda 60 ditëve, megjithëse afati mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë. /Përshtati Pamfleti nga The Guardian/
Lini një Përgjigje