TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Korrik 2025, 20:53

Urdhri i Trump, Departamenti i Drejtësisë ngre njësi speciale për të hetuar Barak Obamën

Shkruar nga Pamfleti
Urdhri i Trump, Departamenti i Drejtësisë ngre njësi speciale
Pjesë nga videoja inskenuese që postoi Trump pak ditë më parë

Obama në shënjestër: A po kthehet politika amerikane në një ‘gjyq hakmarrjeje’?

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka krijuar një “forcë speciale” për të hetuar pretendimet se administrata e Barack Obama-s kreu një “komplot tradhtie”, duke përdorur inteligjencë të rreme për të akuzuar Rusinë se ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në favor të Donald Trump-it.

Vendimi erdhi pasi drejtuesja e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, publikoi një sasi të madhe dokumentesh të deklasifikuara, të cilat ajo pretendon se provojnë se administrata e Obamës manipulojë shërbimet e sigurisë për të delegjitimuar fitoren e Trump-it mbi Hillary Clinton-in. Gabbard akuzoi ish-presidentin dhe ekipin e tij për një “grusht shteti shumëvjeçar” kundër Trump-it, duke përdorur hetime dhe informacione të fabrikuara si bazë për hetimin e posaçëm të lidhjeve të mundshme të fushatës së Trump-it me Rusinë.

Trump, i cili prej kohësh ka kërkuar “hakmarrje” ndaj kundërshtarëve të tij politikë, e ka quajtur raportin e Gabbard-it “provë të pamohueshme e tradhtisë”. Prokurorja e përgjithshme Pam Bondi u zotua se forca speciale do të “hetojë pa lënë asnjë gur pa lëvizur”.

Republikanët kërkojnë hetim të veçantë

Dy senatorë republikanë të fuqishëm, Lindsey Graham dhe John Cornyn, kërkuan emërimin e një prokurori të posaçëm për të hetuar “abuzimin e paprecedentë të pushtetit” nga administrata Obama.

Në qendër të hetimeve mund të përfshihen emra të njohur si ish-drejtori i CIA-s John Brennan, ish-drejtori i FBI-së James Comey dhe ish-këshilltarja e sigurisë kombëtare Susan Rice. Vetë administrata Obama e ka quajtur akuzën “qesharake dhe të pabazë”.

Pengesa ligjore dhe ironi politike

Edhe nëse forca speciale do të përpiqej të ngrinte akuza kundër Obamës, një vendim i Gjykatës së Lartë të SHBA-së i vitit të kaluar i jep presidentëve imunitet të gjerë për veprimet e kryera gjatë detyrës. Ky vendim u pa si fitore për Trump-in, i cili përballet me disa hetime penale, por tani mund të pengojë planet e tij për “retribucion politik”.

Tulsi Gabbard, figura e diskutueshme

Raporti i Gabbard-it ka ngjallur reagime të ashpra. Ish-deputetja demokrate, e akuzuar nga Hillary Clinton si “kandidate e groomuar nga Rusia”, nuk ka përvojë në inteligjencë dhe është kritikuar për qëndrime pro-Kremlinit, përfshirë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Raporti i saj interpreton në mënyrë të diskutueshme vlerësimet e komunitetit të inteligjencës për ndërhyrjen ruse, duke pretenduar se qëllimi i Moskës ishte vetëm të minonte besimin në sistemin elektoral, jo të ndihmonte Trump-in – një përfundim i kundërt me raportet e zyrtare të Senatit dhe të shërbimeve të inteligjencës.

Reagimi i ekspertëve të sigurisë

Shumë veteranë të inteligjencës e kanë cilësuar këtë hetim si një përpjekje të rrezikshme për të politizuar shërbimet sekrete amerikane. Ish-analisti i CIA-s Fulton Armstrong tha se “politizimi i inteligjencës ka ndodhur edhe më parë, por kjo administratë e ka ngritur në nivel institucional”.

Kjo lëvizje shënon një kthesë të fortë në narrativën politike amerikane, ku një ish-president akuzohet drejtpërdrejt për komplot tradhtie, ndërsa një figurë e diskutueshme si Gabbard merr rol qendror në një hetim që mund të trazojë edhe më tej skenën politike përpara zgjedhjeve presidenciale. / “The Guardian”

Lini një Përgjigje