
Studimet shkencore tregojnë se 50 vjet më parë temperaturat gjatë këtyre valëve do të ishin rreth 3.5 gradë më të ulëta. Nuk mjafton të përshtatemi, duhet të veprojmë mbi shkaqet dhe të ndihmojmë vendet që janë ende në zhvillim.
Në rast se nuk ndërhyjmë menjëherë për të ulur emetimet, kriza klimatike do të përshkallëzohet. Kështu do të humbasim mirëqenien. Pesëdhjetë vjet më parë, valët e të nxehtit do të kishin qenë rreth 3.5 gradë më të freskëta.
Sot ato janë pasojë e drejtpërdrejtë e krizës klimatike. Pas bilancit tragjik të vapës në Evropë - me mbi 1.300 viktima - alarmi vjen nga Mario Tozzi, gjeolog dhe studiues i njohur i klimës, në një intervistë për La Stampa.
Armiku kryesor janë valët e të nxehtit, periudha me temperatura jashtë normales që nuk lënë asnjë çast pushim. Nga pikëpamja meteorologjike, mes fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut pritet një përkeqësim i motit që do të ndërpresë përkohësisht të nxehtin ekstrem, duke sjellë ulje temperaturash dhe stuhi, në disa zona edhe të forta, me rrezik breshëri sidomos në veri të Italisë, për t’u shtrirë më pas drejt qendrës dhe jugut.
Gjatë dhjetëditëshit të parë të korrikut temperaturat do t’u afrohen niveleve tipike të verave të disa viteve më parë. Megjithatë, kjo freski do të zgjasë pak. Meteorologët parashikojnë që pjesa tjetër e sezonit do të karakterizohet nga alternimi i valëve të reja të të nxehtit me fronte të paqëndrueshme, të shoqëruara me stuhi të forta lokale.
Ky është modeli atmosferik që vitet e fundit ka zëvendësuar verën tradicionale të dominuar nga anticikloni i Azoreve, duke i bërë më të shpeshta si periudhat me vapë të fortë, ashtu edhe fenomenet ekstreme.
Tozzi thotë se nëse parashikimet meteorologjike nuk mund të shkojnë shumë larg në kohë, në aspektin klimatik prirja është tashmë e qartë dhe lidhet drejtpërdrejt me ngrohjen globale. Një fenomen që tashmë po merr jetë njerëzish dhe që duhet frenuar për të shmangur pasoja edhe më të rënda.
A përfaqësojnë valët e të nxehtit që po godasin Italinë dhe Evropën një prirje të re klimatike?
Studimet e shkencëtarëve të World Weather Attribution, të cilët analizojnë lidhjen mes ndryshimeve klimatike dhe ngjarjeve ekstreme, tregojnë se valët e të nxehtit që po përjetojmë janë anormale krahasuar me të kaluarën pikërisht për shkak të ngrohjes globale.
Nëse e njëjta valë të nxehti do të kishte ndodhur në vitin 1976, pra 50 vjet më parë, temperaturat do të ishin rreth 3.5 gradë më të ulëta, sepse atëherë ngrohja globale nuk kishte arritur nivelet e sotme.
Valët e të nxehtit janë njëkohësisht pasojë dhe nxitëse e krizës klimatike, duke krijuar një rreth vicioz. Komuniteti shkencor ka paralajmëruar prej kohësh se po i afrohemi kufijve biologjikë të ekosistemeve, por edhe kufijve të aftësisë sonë për të përballuar temperatura kaq të larta.
Për njerëzit me një sistem imunitar më të brishtë, i nxehti ekstrem e përkeqëson gjendjen shëndetësore dhe sëmundjet ekzistuese, duke rritur edhe rrezikun e vdekshmërisë. Valët e të nxehtit janë një fenomen meteorologjik, por ato zhvillohen brenda një tendence klimatike që po çon drejt një ngrohjeje të vazhdueshme.
Pra duhet të presim që ngrohja globale të vazhdojë dhe pasojat të bëhen gjithnjë e më të rënda?
Nëse vazhdojmë të mos ndërmarrim asnjë veprim, është e vështirë të mendohet se situata do të përmirësohet. Mund të ketë vite të veçanta, por në përgjithësi prirja është drejt rritjes së mëtejshme të temperaturave dhe përkeqësimit të ndikimit mbi ekosistemet dhe speciet e gjalla. Do të humbasim mirëqenien aktuale dhe do të përballemi gjithnjë e më shpesh me situata të panjohura.
Edhe fakti që vera duket se po zgjatet, me një vapë shumë të madhe që në qershor, është pjesë e kësaj prirjeje?
Sigurisht. Dhe këtë verë po e përjetojmë drejtpërdrejt. Këtyre efekteve do t’u shtohet edhe fenomeni El Niño, i cili duket se vepron në të njëjtin drejtim me ngrohjen globale, duke i përforcuar pasojat.
Vera e nxehtë tërheq më shumë vëmendje, por duhet të shohim edhe muajt e tjerë të vitit: nëntori, janari dhe shkurti po bëhen gjithnjë e më të ngrohtë, duke ndryshuar mesataren klimatike. Kjo është një pasojë e ndryshimeve klimatike. Klima matet në terma afatgjatë.
Ju thatë se duhen ndërmarrë veprime. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Do të thotë se duhet të veprojmë urgjentisht mbi shkaqet e ndryshimeve klimatike. Ky është hapi më i rëndësishëm. Ose luftojmë shkaqet, ose thjesht përshtatemi. Por nëse kufizohemi vetëm te përshtatja, rrezikojmë të përshtatemi me një realitet që ndërkohë vazhdon të përkeqësohet.
Për t’u mbrojtur nga stuhitë gjithnjë e më të fuqishme mund të ndërtojmë diga apo vepra të mëdha mbrojtëse kundër dallgëve 6-metërshe, por nëse nuk eliminojmë shkaqet, ato dallgë nesër mund të bëhen 8 metra.
E vetmja rrugë realiste, është të arrijmë në zero emetimet që vijnë nga djegia e lëndëve djegëse fosile, pra të ndalojmë përdorimin e qymyrit, naftës dhe gazit. Dhe nuk kemi më shumë kohë në dispozicion.
Është e vërtetë që Evropa ka ndërmarrë disa hapa, por ende nuk kemi arritur një marrëveshje ndërkombëtare ku të gjitha vendet të angazhohen seriozisht. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë dhe njëkohësisht të ndihmojmë vendet në zhvillim, të cilat me të drejtë na kujtojnë se vendet e pasura janë zhvilluar duke ndjekur pikërisht modelin që sot u kërkohet atyre të mos e përsërisin.
Pa bashkëpunim global nuk mund të ketë sukses në këtë betejë.
Çfarë mund të bëhet për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike?
Shpesh thuhet: të mbjellim sa më shumë pemë. Por bëhet fjalë për qindra miliona pemë. Që ato të arrijnë të thithin sasi të konsiderueshme të dioksidit të karbonit nevojiten rreth 30 vjet. Është një masë e dobishme përshtatëse ndaj realitetit të ri, por nuk mjafton. Nëse nuk godasim shkaqet e problemit, do të jemi gjithmonë me vonesë./ Përshtati "Pamfleti" nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje