Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka treguar se sa shpejt politika në një demokraci mund të diktohet nga frikësimi dhe mizoria. Siç argumentoi Thomas Mann në fillim të shekullit XX, udhëheqësit autoritarë ngjiten në pushtet sepse aktivizojnë prirje që ekzistojnë tashmë brenda shoqërive demokratike…
Në vitin 1939, shkrimtari gjerman Thomas Mann botoi esenë e tij “Vëlla Hitleri”, në të cilën ai hodhi poshtë mitin ngushëllues të Adolf Hitlerit si një përbindësh mbinjerëzor.
Në vend të kësaj, Mann e portretizoi Hitlerin si një shembull të njeriut të dështuar, mediokër dhe dembel, fuqia shkatërruese e të cilit buronte pikërisht nga zakonshmëria e tij. I paaftë për punë të vazhdueshme dhe i mbingarkuar nga kërkesat e jetës së përditshme, Hitleri zotëronte megjithatë një aftësi të jashtëzakonshme: aftësinë për të ngjallur dhe mobilizuar turmat.
Po si mundet një njeri kaq i thjeshtë të fitojë mbi një shoqëri aq të arsimuar dhe të sofistikuar sa ajo e Gjermanisë? Përgjigja e Mann-it ishte se politika demokratike nuk është kurrë vetëm racionale.
Poshtë institucioneve të saj qëndron një shtresë më primitive, e cila shpërblen ata që mund të tërheqin vëmendjen e votuesve dhe të drejtojnë emocionet, shpesh në kurriz të kompleksitetit dhe thelbit.
Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, vazhdon të pohojë dominimin e tij mbi diskursin politik në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesën më të madhe të botës, eseja e Mann-it - së bashku me romanin “Mali Magjik”, kryeveprën e tij midis dy luftërave botërore - ofron mësime shumë të vlefshme.
Mendimi qendror i Mann-it është se figurat si Hitleri nuk ia dalin mbanë sepse janë të jashtëzakonshme, por sepse aktivizojnë prirje që ekzistojnë tashmë brenda shoqërive demokratike. Në këtë kuptim, edhe Trump është produkt i një preference të përbashkët për spektakël të lirë dhe i një dëshire për përkatësi që shumë shpesh mbizotëron mbi mendimin kritik.
Disa nga mekanizmat që identifikon Mann-i si përgjegjës për ngritjen e Hitlerit mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme edhe sot. Së pari, gënjeshtrat dhe trillimet nuk kanë nevojë të përmbajnë asnjë grimcë të së vërtetës.
Ato thjesht duhet të përhapen shpejt dhe t'i drejtohen ndjenjës në vend të arsyes.
Në epokën e Trump-it, pyetja kryesore nuk është se çfarë ndodhi në të vërtetë, por versioni i kujt mbi ngjarjet përforcohet në mënyrë më agresive përmes mediave sociale.
Për shembull, marrim rastin e vrasjes së Alex Pretti-t, një infermier tridhjetë e shtatë vjeçar dhe shtetas amerikan, nga agjentët e Patrullës Kufitare në Minneapolis. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, zyrtarë të lartë të administratës, përfshirë Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, thanë se Pretti i kishte sulmuar agjentët dhe e etiketuan atë si një “terrorist vendas”. Këto pretendime qarkulluan me shpejtësi dhe vazhduan ta bënin këtë edhe pasi pamjet video dhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë i kundërshtuan ato.
Një mekanizëm tjetër që përshkroi dikur Mann-i, është transformimi i pakënaqësive personale në çështje të nderit kombëtar. Kërcënimet e Trump-it për të pushtuar Grenlandën me forcë ofrojnë një shembull të habitshëm.
Sipas letrës së tij drejtuar Kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Støre, ai ishte i motivuar të paktën pjesërisht nga pakënaqësia për mosmarrjen e Çmimit Nobel për Paqen vitin e kaluar.
Po ashtu, Mann argumentonte se suksesi i demagogëve varet më pak nga shkëlqimi në strategji sesa nga rrethanat e favorshme dhe, mbi të gjitha, nga mungesa e rezistencës. Duke refuzuar ta mitizonte Hitlerin si një mendje politike gjeniale, ai tregoi se si institucionet dhe njerëzit brenda tyre dorëzohen gradualisht, duke e shpërfillur frikësimin si retorikë derisa ai të shndërrohet në një praktikë normale.
Tek Mann-i nuk gjen dot ngushëllim, sepse ai nuk ofron asnjë. Ai e quajti Hitlerin “vëlla” për të nënvizuar faktin se demagogjia fashiste mbështetet tek impulset që ekzistojnë brenda të gjithëve ne. Njohuri të ngjashme frymëzojnë veprën “Zemra e Errësirës” të Joseph Conrad dhe “Twin Peaks” të David Lynch: errësira është si e jashtme, ashtu edhe ajo që na del përpara kur shihemi në pasqyrë.
Në këtë këndvështrim, Trump funksionon si një lloj valvule sigurie, duke e lehtësuar presionin për t'u dukur i virtytshëm dhe duke u lejuar mbështetësve të tij të brohorasin për forcën brutale, dominimin dhe hakmarrjen.
Por Mann nuk thoshte se të gjithë njerëzit janë të këqij. Përkundrazi, ai këmbëngulte se figurat si Hitleri ngrihen në pushtet kur ato impulse të errëta ushqehen dhe shpërblehen vazhdimisht. Pra, spektakli funksionon vetëm nëse ne e furnizojmë me energji.
Kënaqësia e braktisjes morale dhe efekti dehës i brutalitetit mund të përfundojnë duke krijuar varre masive. Qyteti im, Gdansk, e di shumë mirë se çfarë ndodh kur sundimit populist i lejohet që të vazhdojë i pashqetësuar rrjedhën e tij.
Kur historiani Timothy Snyder e përshkroi këtë rajon si “Tokat e Përgjakshme”, ai nuk po përdorte një metaforë, por po deklaronte një fakt historik. Sepse pikërisht këtu, në Westerplatte, ndodhën të shtënat e para të Luftës së Dytë Botërore në shtator të vitit 1939. Megjithatë, Gdansk nuk është vetëm një simbol i katastrofës. Ai është gjithashtu vendlindja e lëvizjes Solidarnost të Lech Wałęsa-s, e cila luajti një rol vendimtar në rënien e komunizmit në Evropë.
Kjo histori e rezistencës nga baza mund të gjejë jehonë tek banorët e Minneapolis-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke pasur parasysh reagimin e tyre të organizuar përballë dhunës së udhëhequr nga Agjencia e Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE), e maskuar si zbatim federal i ligjit kundër migracionit të paligjshëm, Minneapolis-i mund të bëhet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ajo që Gdansk-u dikur ishte për Poloninë dhe Evropën Qendrore, duke treguar se si aktivizmi qytetar mund t’i rezistojë normalizimit të brutalitetit zyrtar.
Sigurisht, lufta kundër impulseve të errëta që gjallërojnë Trumpizmin nuk mbaron kurrë. Në romanin “Mali Magjik”, beteja për shpirtin e protagonistit të ri naiv, Hans Castorp, zhvillohet midis dy mentorëve rivalë: Lodovico Settembrini, i cili përfaqëson demokracinë dhe fuqinë emancipuese të arsyes dhe shkencës, dhe Leo Naphta, retorika revolucionare e të cilit maskon një logjikë reaksionare që përqafon terrorin, dhunën dhe luftën.
E njëjta luftë për shpirtin e botës po zhvillohet tani në shumë vende, nga Ukraina deri në rrugët e qyteteve kryesore të Amerikës. Rezultati i saj nuk është i paracaktuar. Ndërsa njerëzimi ka një trashëgimi të errët, ai zotëron gjithashtu një aftësi të lindur për të mësuar dhe për të ndryshuar.
Megjithatë, që kjo të ndodhë, duhet së pari të bëjmë atë që na kërkoi dikur Mann: të njohim lidhjen tonë me ata që i nënshtrohen tundimit autoritar dhe ta pranojmë se jemi bërë nga i njëjti material.
Vetëm një vetëdije e tillë morale, mund të parandalojë që të mbizotërojnë përsëri demagogjia dhe shtypja që përcaktuan shekullin XX./ Përshtati "Pamfleti" nga “Project Syndicate”
Shënim: Grzegorz Kwiatkowski është shkrimtar, muzikant, aktivist dhe bashkëkurator i projekteve akademike në Universitetin e Oksfordit.
Lini një Përgjigje