Ushtria greke u përfshi pak ditë më parë nga një skandal i rëndë sigurie, pas arrestimit të një koloneli të Forcave Ajrore, i cili dyshohet se ka spiunuar për llogari të Kinës duke i transferuar informacione të klasifikuara të NATO-s.
Sipas mediave greke, gjithçka nisi kur Shërbimi Helenik i Sigurisë (EYP) mori një sinjal paralajmërues nga CIA në muajin tetor, ku thuhej se një oficer ushtarak në Greqi dyshohej për rrjedhje të materialeve sekrete të Aleancës Atlantike drejt Kinës. Pas këtij informacioni, EYP njoftoi menjëherë Degën e 5-të të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare Helene, përgjegjëse për kundërzbulimin ushtarak.
Që nga ai moment, nisi një hetim i detajuar, i cili sipas burimeve i ngjante një operacioni të mirëfilltë kundërspiunazhi. Analiza e të dhënave çoi gradualisht te një përfundim i qartë: vetëm një oficer kishte akses të plotë në informacionet e komprometuara. Bëhej fjalë për kolonelin, komandant i një njësie që merrej me radarë dhe sisteme elektronike të avancuara një pozicion kyç brenda strukturave të mbrojtjes ajrore.
Në këtë fazë, hetuesit i dhanë të dyshuarit një emër të brendshëm reference: “Gaforrja”, i cili u bë pika qendrore e operacionit të kundërzbulimit.
Gjatë vëzhgimit, autoritetet zbuluan se koloneli përdorte dy telefona celularë. Njëri prej tyre ishte i padeklaruar dhe, sipas informacioneve të mbledhura nga EYP, i ishte siguruar nga pala kineze. Specialistët e shërbimeve greke arritën të identifikonin sinjale komunikimi të koduara, të cilat rezultonin se transmetoheshin drejt Kinës.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve të sigurisë, koloneli dyshohet se fotografonte dokumente konfidenciale dhe, përmes aplikacioneve të posaçme, i konvertonte ato në formate të koduara përfshirë kode QR, me qëllim shmangien e zbulimit të menjëhershëm. Megjithatë, autoritetet theksojnë se këto elemente teknike mbeten pjesë e hetimit në zhvillim.
Koloneli u mor në pyetje nga drejtues të lartë të EYP-së, ku sipas mediave greke ai ra në kontradikta të shumta dhe më pas pranoi elementë kyç të veprimtarisë së tij. Ai përballet me akuza për spiunazh dhe tradhti, vepra që sipas legjislacionit grek mund të çojnë deri në burgim të përjetshëm.
Autoritetet greke nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ndërsa hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me partnerët e NATO-s.
Lini një Përgjigje