Lideri iranian Mojtaba Khamenei i është nënshtruar një operacioni në Rusi pas plagosjes nga sulmet e SHBA...
Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, raportohet se është transferuar në Moskë për një ndërhyrje kirurgjikale, sipas mediave kuvajtiane të cituara nga Daily Mail.
Khamenei, 56 vjeç, është djali i ish-udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei dhe konsiderohet një nga figurat më me ndikim në strukturat politike dhe fetare të Republikës Islamike. Ai mori drejtimin e vendit pasi babai i tij u vra më 28 shkurt, në një zhvillim që tronditi hierarkinë politike të Iranit.
Sipas raportimeve, ai fillimisht ishte shtruar në Spitalin Universitar Sina në Teheran pas një sulmi ajror që, sipas burimeve, kishte në shënjestër drejtuesit e lartë të Iranit gjatë operacioneve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit.
Për shkak të plagëve të marra, u vendos transferimi i tij jashtë vendit. Sipas agjencisë Al-Jarida, largimi i liderit iranian nga Irani u organizua si një operacion tepër sekret, duke përfshirë transportimin e tij me një avion ushtarak rus drejt Moskës.
Raportimet shtojnë se ndërhyrja kirurgjikale thuhet se është ofruar personalisht nga presidenti rus Vladimir Putin, ndërsa pas mbërritjes në Rusi Khamenei është dërguar në një nga rezidencat presidenciale, ku sipas të njëjtave burime iu nënshtrua një operacioni që rezultoi i suksesshëm.
Ndërkohë, deklarata të fundit të Donald Trump kanë shtuar më tej spekulimet mbi gjendjen e liderit iranian. Presidenti amerikan sugjeroi se Khamenei mund të ketë pësuar plagë shumë të rënda gjatë sulmeve dhe madje mund të jetë edhe “i shpërfytyruar”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Megjithatë, informacionet mbi transferimin dhe gjendjen e tij mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht. Sipas raportimit, agjencia Al-Jarida pretendon se i ka marrë këto të dhëna nga një burim i nivelit të lartë pranë liderit të ri suprem të Iranit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje