Një avion luftarak amerikan ka qëlluar dy cisterna nafte të zbrazëta me flamur iranian që po drejtoheshin drejt porteve në Iran, njoftoi sot ushtria amerikane. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), një F/A-18 Super Hornet ka goditur me municione precize oxhaqet e dy anijeve, duke i çaktivizuar ato përpara se të arrinin në një port iranian në Gjirin e Omanit.
“Nëpërmjet këtij veprimi u parandalua shkelja e bllokadës së vazhdueshme të SHBA-së”, thuhet në deklaratën e publikuar nga CENTCOM në platformën X.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane e lajmeve Fars raporton për përleshje sporadike midis anijeve amerikane dhe forcave të armatosura të Iranit në Ngushticën e Hormuzit, që nga ora 13:00 e sotme. Teherani nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar të hollësishëm për sulmin ndaj cisternave.
Kujtojmë se Ngushtica e Hormuzit mbetet një zonë kritike për tregtinë globale të naftës dhe çdo incident aty rrezikon të shtojë më tej paqëndrueshmërinë në rajon.
Lini një Përgjigje