Bota13 Mars 2023, 15:50

Vuçiç tjetër sinjal se mund të refuzojë planin franko-gjerman, këmbëngul te asociacioni

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç tjetër sinjal se mund të refuzojë planin

Presidenti i serb, Aleksandër Vuçiç është shprehur se bisedat dhe negociatat për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, janë të pakuptimta nëse Prishtina zyrtare nuk pranon Asociacionin.

Deklaratat presidenti serb i bëri para takimit me të dërguarin e posacëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak, i cili ka nisur këtë të hënë vizitën zyrtare në Beograd pas qëndrimit dyditor në Prishtinë, ku ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Do ta them si i shoh gjërat dhe çfarë mund të bëjmë në të ardhmen. Të mërkurën dhe të enjten, do të flas sa i përket Kosovës. Por nëse dikush nuk është i gatshëm as të bisedojë, e lëre më të zbatojë Asociacionin e komunave serbe, atëherë kjo nuk ka kuptim”, tha Vuçiç.

Takimi i radhës mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian do të mbahet më 18 mars në Ohër.

Fokusi i bisedimeve do të jetë udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Vuçiç dhe Kurti, sipas kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borej, ranë dakord më 27 shkurt në Bruksel.

Por me deklaratat e fundit Vuçiç duket se po paralajmëron se do të refuzojë planin franko-gjerman nëse formimi i asociacionit nuk do të përfshihet në bisedime.

 

 

vuçiç plani franko-gjerman