TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Gusht 2025, 15:54

Zelensky dhe Von der Leyen konferencë para vizitës në SHBA: Europa duhet të mbetet e bashkuar për paqe të vërtetë

Shkruar nga Pamfleti

Zelensky dhe Von der Leyen konferencë para vizitës në SHBA:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Evropës që të ruajë unitetin përballë agresionit rus, duke e cilësuar këtë si kushtin kryesor për arritjen e paqes.

“Europa duhet të jetë po aq e bashkuar tani sa ishte kur lufta nisi në vitin 2022, dhe vetëm kështu mund të arrihet paqja e vërtetë”, deklaroi Zelenskyy.

Duke iu referuar kërkesave të Kremlinit, ai shtoi: “Putini ka shumë kërkesa, por ne nuk i dimë të gjitha. Është e pamundur të bësh negociata nën presionin e armëve.”

Kreu i shtetit ukrainas theksoi se vijat aktuale të frontit duhet të shërbejnë si bazë për çdo proces bisedimesh. “Na duhen negociata të vërteta, që do të thotë të nisim aty ku është vija e frontit tani”, theksoi ai.

Zelenskyy kërkoi gjithashtu organizimin e një samiti mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por nënvizoi se Moska nuk ka dhënë ende sinjale pozitive. “Nëse Rusia refuzon, atëherë duhet të pasojnë sanksione të reja”, paralajmëroi ai.

Në lidhje me garancitë e sigurisë, presidenti ukrainas falënderoi Washingtonin dhe presidentin Donald Trump për gatishmërinë për të punuar me Europën. “Jam mirënjohës ndaj SHBA-ve për gatishmërinë për të ofruar garanci sigurie, por ende nuk ka detaje se si do të funksionojnë ato”, tha Zelenskyy.

Ai e krahasoi këtë mbështetje me klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s: “Si artikulli 5 i NATO-s, dhe ne e konsiderojmë anëtarësimin në BE si pjesë të garancive tona të sigurisë.”

Nga ana e saj, Ursula von der Leyen përsëriti qëndrimin se “kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë” dhe njoftoi se BE po përgatit paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë, që pritet të miratohet në fillim të shtatorit.

 

Lini një Përgjigje