
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka deklaruar se Jakov Milatoviç do të jetë presidenti i ri i Malit të Zi.
Abazoviç u shpreh se do të jetë i lumtur që të punojë bashkë me të, për të eliminuar farën e politikës së kaluar dhe të krijohet një vlerë e re proevropiane në Mal të Zi.
Sipas tij, shqiptarët në Mal të zi janë sot më mirë se kurrë, të integruar në qeverisjen qendrore dhe lokale.
“Çështjen e kishës e përfunduam vitin e kaluar kur nënshkruar marrëveshjen, kisha nuk është çështje që përfshihet në zgjedhje. Është zgjedhje e lirë e partive shqiptare në Mal të zi që të mos pozicionohen me asnjë kandidat për president. Shqiptarët në Mal të Zi kurrë s’kanë qenë më mirë, të gjithë të integruar në qeveri dhe me të drejta të plota, në Tuz e Ulqin. Gjukanoviç ka 30 vjet në pushtet dhe është i lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Çdokush duhet të jetë i zëvendësueshëm, kurrë nuk do kemi politikanë që rrinë nga 30 vjet në pushtet. Nuk jetojmë në Bjellorusi, jemi në Mal të Zi”, tha Abazoviç në “Euronews Albania”.
Më tej ai deklaroi se fakti që për herë të parë në histori Mali i Zi ka një kryeministër shqiptar është një arritje shumë e madhe.
Ai u shpreh se ndihet krenar për vendimet siç tha historike, që ka mundur të ndërmarrë.
Abazoviç iu përgjigj edhe akuzave si tradhtar pas marrëveshjes me Kishën serbe, ndërsa theksoi se e vetmja gjë që ka tradhtuar është krimi i organizuar dhe korrupsioni.
“Unë jam shumë i kënaqur me arritjet, kam ardhur të sjell arritje historike të cilat askush nuk ka mundur t’i sjellë. Nëse dikush mendon që kam tradhtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar jam shumë krenar që e kam bërë. Jam këtu të flas mbi rezultate. Mali i Zi është sot një vend shumë më i lirë se ç’ka qenë, kemi jetuar në një diktaturë të sofistikuar për 30 vjet, duhet të merremi shembull nga rajoni”, tha Abazoviç.
Lini një Përgjigje