Debati mbi propozimet e disa shteteve themeluese të Bashkimit Evropian për masa mbrojtëse dhe tranzitore në procesin e zgjerimit nxjerr në pah një përplasje mes nevojës për garanci institucionale dhe rrezikut për krijimin e pengesave shtesë ndaj vendeve kandidate.
Masat e propozuara në “non-paper”-in e Francës, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut mbi mekanizmat mbrojtës dhe tranzitorë për pranimin e vendeve kandidate më duken sikur të sapoardhurit po detyrohen të mbajnë mbi supe barrën e ankesave të vjetra politike të BE-së.
Së pari, propozimi për zgjerimin e klauzolave të sigurisë ekonomike dhe rezistencës ndaj ndërhyrjeve të huaja mund të ketë një logjikë të kuptueshme në parim, por vetëm nëse BE-ja është e gatshme të përcaktojë qartë se cilët janë aktorët e jashtëm ndaj të cilëve drejtohet kjo mbrojtje.
Ndërkohë që Rusia shihet gjerësisht si një rrezik i qartë, nuk ekziston një qëndrim i unifikuar ndaj Kinës apo ndaj disa partnerëve tradicionalë, gjë që e bën këtë qasje të paqartë dhe potencialisht selektive.
Së dyti, ideja për të zgjatur masat tranzitore për hapjen e tregjeve të punës dhe për të zgjatur sa më shumë kufizimet krijon një narrativë të zymtë për vendet kandidate.
Kjo injoron realitetin e migrimit të lartë të trurit nga Ballkani Perëndimor dhe sfidat ekstreme me të cilat përballen vende si Ukraina, të cilat nuk mund të trajtohen si burim rreziku për tregjet e punës të BE-së.
Edhe më problematike është lidhja e kësaj çështjeje me krizën e banesave në disa shtete anëtare, duke nënkuptuar në mënyrë të tërthortë se vendet kandidate mund të jenë shkaktare të problemeve strukturore të brendshme të BE-së.
Së treti, mekanizmi i propozuar i monitorimit ngjall shqetësime, pasi të kujton Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit (CVM) që u aplikua për Bullgarinë dhe Rumaninë pas anëtarësimit.
Një qasje e tillë nënkupton një dyshim të vazhdueshëm ndaj aftësisë së vendeve për të përmbushur standardet e BE-së, duke rikthyer idenë se disa shtete nuk janë plotësisht të gatshme edhe pas pranimit. Deri më tani, qasja mbizotëruese ka qenë që vetëm vendet plotësisht të përgatitura duhet të anëtarësohen, pa nevojën e mekanizmave të zgjatur pas anëtarësimit.
Së katërti, pyetja mbi mbrojtjen e vlerave të BE-së të parashikuara në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian dhe klauzolat e mos-regresit ngre dilema të tjera, pasi këto vlera tashmë mbulohen nga mekanizmat ekzistues të kushtëzimit të buxhetit të BE-së, të cilët aplikohen njësoj për të gjitha shtetet anëtare, pa dallim mes të vjetërve dhe të rinjve.
Së pesti, propozimi për një procedurë të re të nenit 7 me shumicë 4/5 për pezullimin e të drejtave të votës ngre pyetje serioze mbi balancën institucionale. Nëse një mekanizëm i tillë synon të forcojë vendimmarrjen e BE-së, mbetet e paqartë pse duhet të kufizohet vetëm për vendet e reja anëtare dhe jo për të gjitha shtetet në mënyrë të barabartë.
Po ashtu, mbetet e paqartë kohëzgjatja e këtyre kufizimeve dhe nëse ato do të ishin të qëndrueshme në praktikë.
Së gjashti, edhe çështja e anëtarësimit në Shengen nuk është e re, pasi ky proces historikisht nuk ka qenë automatik, siç tregojnë rastet e Bullgarisë dhe Rumanisë. Në këtë kontekst, përfshirja në Prokurorinë Publike Evropiane (EPPO) si kusht paraprak mund të ketë një logjikë funksionale, pasi rrit integrimin në mekanizmat e sundimit të ligjit.
Në fund, të gjitha këto propozime krijojnë përshtypjen se synojnë më shumë të adresojnë shqetësimet e brendshme politike të shteteve aktuale anëtare sesa të çojnë përpara një proces të drejtë dhe të balancuar zgjerimi. Ato lënë gjithashtu pa përgjigje pyetjen nëse këto masa e forcojnë vërtet Bashkimin Evropian apo thjesht pasqyrojnë tensionet e tij të brendshme.
Shënim: Ana Pisonero është gazetare për çështjet e BE-së, me 20 vite përvojë dhe ish-zëdhënëse e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe partneritetet ndërkombëtare./ Përshtati "Pamfleti" Nga ”dtt-net.com”
Lini një Përgjigje