Qeveria britanike po përshpejton legjislacionin e ri pas një serie rastesh sabotimi, spiunazhi, sulmesh zjarrvënëse dhe kibernetike të lidhura me shërbimet ruse të inteligjencës…
Kur një jastëk masazhues për qafën shpërtheu dhe mori flakë në një qendër postare pranë Birminghamit në korrik 2024, zjarrfikësit e trajtuan ngjarjen si një incident të zakonshëm. Raporti zyrtar shënoi vetëm se zjarri u shua pa pasoja në njerëz. Megjithatë, hetimet zbuluan se pajisja ishte pjesë e një operacioni sabotimi të organizuar nga inteligjenca ushtarake ruse (GRU). Pajisje vetëndezëse, të maskuara si produkte të zakonshme, u dërguan në vende të ndryshme të Europës. Njëra mori flakë para se të ngarkohej në një avion në Gjermani, ndërsa një tjetër shpërtheu në një kamion në Poloni.
Rasti konsiderohet pjesë e një tendence në rritje të përdorimit të personave të rekrutuar si “ndërmjetës” apo “proksi” nga shërbimet ruse të inteligjencës. Sipas autoriteteve britanike, këta individë po krijojnë një kërcënim gjithnjë e më të gjerë dhe të paparashikueshëm për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar. Si përgjigje, qeveria britanike ka njoftuar se do të paraqesë me procedurë të përshpejtuar një paketë të re ligjore, e cila do të lejojë ndalimin e organizatave të mbështetura nga shtete të huaja dhe ndjekjen penale të personave që i ndihmojnë ato, në mënyrë të ngjashme me legjislacionin kundër terrorizmit.
Sabotimet janë shtuar pas pushtimit të Ukrainës
Zyrtarët e sigurisë besojnë se aktivitetet e sabotimit janë rritur ndjeshëm që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022. Objektivat kanë përfshirë kompani logjistike, transportin publik dhe biznese që mbështesin Ukrainën. Sipas tyre, qëllimi nuk është vetëm dëmtimi fizik i infrastrukturës, por edhe krijimi i një ndjenje pasigurie dhe pakënaqësie politike në vendet europiane.
Në Lituani po zhvillohet aktualisht një proces gjyqësor ndaj disa personave të akuzuar për dërgimin e jastëkëve vetëndezës në Birmingham dhe destinacione të tjera. Agjencia europiane për koordinimin e drejtësisë penale, Eurojust, deklaroi se hetimet shumëkombëshe zbuluan se të dyshuarit ishin rekrutuar dhe udhëzuar përmes aplikacioneve të komunikimit online nga anëtarë të GRU-së. Pagesat, sipas Eurojust, kryheshin shpesh në kriptomonedha.
Rasti i magazinës që furnizonte Ukrainën
Metoda të ngjashme u përdorën edhe në një sulm zjarrvënës ndaj një magazine në Britani në mars 2024, ku ruheshin pajisje satelitore që do të dërgoheshin në Ukrainë.
Organizatori i operacionit ishte Dylan Earl, një britanik 21-vjeçar i dënuar për trafik droge, i cili kishte ofruar shërbimet e tij për agjentë rusë që vepronin nën emrin e grupit Wagner, tashmë i ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Earl rekrutoi persona të njohur për të zbatuar urdhrat që merrte përmes aplikacionit Telegram. Një gjykatës i përshkroi ata si “të rinj të gatshëm të radikalizoheshin dhe të tradhtonin vendin e tyre për para të lehta”.
Pak ditë pas djegies së magazinës në Londrën Lindore, një tjetër magazinë e së njëjtës kompani ukrainase u sulmua në Spanjë. Kur Earl u arrestua, ai po përpiqej të rekrutonte dikë për të sulmuar edhe një objekt të tretë në Republikën Çeke.
Nga sabotimi te spiunazhi
Zjarrvënia është kthyer në një nga mjetet kryesore të sabotimit rus në Europë, por autoritetet kanë identifikuar edhe raste të spiunazhit tradicional.
Në maj të vitit të kaluar, gjashtë shtetas bullgarë u dënuan në Britani për pjesëmarrje në një rrjet spiunazhi rus që operonte nga një bujtinë në qytetin bregdetar Great Yarmouth.
Drejtuesi i grupit, Orlin Roussev, kishte marrë detyrën të survejonte gazetarë investigativë, disidentë politikë, një bazë ushtarake amerikane në Gjermani dhe një shtetas rus të arratisur që jetonte në Mal të Zi.
Sipas autoriteteve, aktivitetet që dikur kryheshin nga oficerë profesionistë të inteligjencës po realizohen gjithnjë e më shumë nga civilë të rekrutuar në internet. Kjo prirje u përshpejtua pas dëbimit të qindra diplomatëve dhe agjentëve rusë nga Britania dhe vendet e Bashkimit Europian pas helmimit të Sergei Skripal në Salisbury në vitin 2018.
Drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, deklaroi vitin e kaluar se shërbimet ruse tani po mbledhin informacion dhe po rekrutojnë persona përmes rrjeteve sociale, aplikacioneve të koduara dhe pagesave me kriptomonedha.
Pagesa të vogla dhe rekrutime të paqarta
Autoritetet britanike paralajmërojnë se jo të gjithë personat që veprojnë për llogari të Rusisë janë të motivuar ideologjikisht. Shumë prej tyre veprojnë vetëm për përfitime financiare, ndërsa disa mund të mos e dinë fare se kush qëndron pas porosive që marrin.
Vicki Evans, koordinatore kombëtare për policimin kundër terrorizmit, ka deklaruar se marrëveshjet janë shpesh informale dhe përfshijnë shuma relativisht të vogla parash, ose madje asnjë pagesë.
Sipas saj, nuk ekziston një profil i vetëm për këta persona. Ata mund të jenë individë me kombësi dhe prejardhje të ndryshme, persona të lidhur me aktivitete kriminale ose edhe qytetarë që besojnë se po ofrojnë një shërbim të ligjshëm.
Për të adresuar këtë sfidë, Britania miratoi në vitin 2023 një paketë ligjesh të sigurisë kombëtare që lejon ndjekjen penale të personave që “duhej të kishin ditur në mënyrë të arsyeshme” se veprimet e tyre po ndihmonin një shërbim të huaj inteligjence, edhe nëse porositësit nuk identifikoheshin qartë.
Jonathan Hall, rishikues i pavarur i legjislacionit mbi kërcënimet shtetërore, tha për The i Paper se interneti ka krijuar forma të reja rekrutimi që nuk ekzistonin më parë.
“Oficerët e inteligjencës do të vazhdojnë të jenë krijues në metodat e tyre dhe ligji do të duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur këtyre zhvillimeve”, tha ai. /Përshtatur nga I Paper/
Lini një Përgjigje