
10 bashki në vend do të shkrihen. Deklarata e kryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, se Bashkia Prrenjas mund të shndërrohet në një njësi administrative të Bashkisë Librazhd ka shkaktuar reagime të forta në qytet.
Banorë të Prrenjasit, pavarësisht bindjeve politike, kanë dalë kundër këtij propozimi, duke argumentuar se një vendim i tillë do të cenonte identitetin, historinë dhe përfaqësimin e bashkisë së tyre.
Kundërshtimet janë shfaqur edhe në rrjetet sociale, ndërsa në ditët në vijim pritet të nisë mbledhja e firmave për një peticion, përmes të cilit qytetarët synojnë të kundërshtojnë bashkimin e mundshëm të Prrenjasit me Bashkinë Librazhd.
Prrenjasi ka funksionuar prej dekadash si një bashki më vete dhe konsiderohet nga banorët si një zonë me identitet të veçantë, tradita dhe histori të konsoliduar.
Një nga asetet kryesore të bashkisë është edhe Rrajca, e njohur për pasuritë e saj natyrore dhe historike. Zona përfshin një pjesë të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në vend, çka, sipas kundërshtarëve të propozimit, e bën edhe më të rëndësishëm ruajtjen e statusit aktual administrativ të Prrenjasit.
Lini një Përgjigje