
Protestuesit paqësorë meritojnë të dëgjohen, jo të tallen ose të shpërfillen...
Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë hyrë sot në ditën e tyre të 50-të. Me këtë rast, Partia Demokratike Europiane (PDE) ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku vlerëson qëndresën e protestuesve dhe thekson se kërkesat e tyre meritojnë vëmendje, e jo shpërfillje.
Në reagimin e saj, PDE shprehet se ajo çfarë po zhvillohet në rrugët e Tiranës tejkalon kërkesën për largimin e një kryeministri, duke e cilësuar si një thirrje për një proces të thellë të ripërtëritjes demokratike, të bazuar në transparencë, llogaridhënie dhe sundimin e ligjit.
View this post on Instagram
"Mbrëmë, rrugët e Tiranës u mbushën përsëri. Për 50 ditë rresht, Revolucioni Flamingo i Shqipërisë ka vazhduar thirrjen e tij për dorëheqjen e Edi Ramës. Kërkesa e tyre nuk është thjesht për një ndryshim qeverie, por për një ripërtëritje të thellë demokratike. Protestuesit paqësorë meritojnë të dëgjohen, jo të tallen ose të shpërfillen", thuhet në postimin e Partisë Demokratike Europiane.
Kujtojmë se protesta e cila nisi si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj situatës së ndodhur në Zvërnec, përfundoi në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e të gjtihë kastës së vjetër politike. Që nga nisja e këtij tubimi, protestuesit kanë paraqitur një sërë kërkesash, ku në krye të tyre qëndron dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Rama dhe krijimin i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Ata propozojnë gjithashtu reformimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike. Në listën e kërkesave përfshihet edhe shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike.
Lini një Përgjigje