TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Korrik 2026, 08:33

Afera ‘Partizani’, ish-ministri Gazmend Oketa dëshmon sot në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Afera ‘Partizani’, ish-ministri Gazmend Oketa dëshmon sot
Gazmend Oketa

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe zv.kryeministër në qeverinë e Sali Berishës, Gazmend Oketa është thirrur nga SPAK si dëshmitar në seancën e sotme të gjyqit për aferën e privatizimit me urgjencë të ish-kompleksit “Partizani”. Seanca mbahet në orën 10:00.

Përveç tij në GJKKO për të dëshmuar janë thirrur edhe Elvira Lame, Paro Laçi dhe Isa Tare.

Ky i fundit duhet të dëshmonte që në seancën e 22 qershorit, por tha se ndodhej jashtë shtetit.

Seancën e kaluar, dëshmi e fortë ishte ajo e Ylli Pangos, ish-ministrit të Sporteve, i cili tha se kishte qenë kundër ndryshimit të destinacionit të ambienteve të ish-klubit Partizani, pra ndërtimit të 19 kullave atje. Tha se edhe ndryshimi ligjor i vitit 2008 që e bënte të mundur këtë nuk ishte iniciativë e tij, por propozim i qeverisë Berisha.

Berisha akuzonte direkt Pangon më 18 qershor 2008 se me propozimin e parë kishte sjellë një ligj në qeveri, në mbrojtje të interesave të pronarëve të klubeve sportive.

Megjithatë, në GJKKO ish-ministri mohoi të kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e qeverisë që vendosi kalimin e ligjit në Këshillin e Ministrave.

Kallëzimi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” ku është ndërtuar një kompleksh pallatesh, është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Nëpërmjet kësaj padie, Balla akuzon për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi dhe ish-ministrin Arben Imami.

Klubi sportiv “Partizani” ka qenë një ndër komplekset në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ku sot janë bërë pallate nga Jamarbër Malltezi.

gazmend oketa spak afera ‘partizani’

Lini një Përgjigje