TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2026, 14:59

Samiti i NATO-s , Italia nën presion nga Trump për shpenzimet e mbrojtjes

Shkruar nga Pamfleti

 

Samiti i NATO-s , Italia nën presion nga Trump për shpenzimet e
Giorgia Meloni dhe Donald Trump

Qeveria italiane ka pranuar  se bilanci i shpenzimeve të mbrojtjes nuk është mbresëlënës, por se  vendi “nuk është duarbosh” për t’u paraqitur me krenari në tryezën e NATO-s.

Zyrtarë të qeverisë italiane justifikojnë situatën duke sjellë shembuj nga vende të tjera anëtare, duke deklaruar se “holandezët kanë përfshirë në shpenzimet e NATO-s edhe fondet e pensioneve të ushtarakëve, dhe askush nuk i ka kundërshtuar”.

Në prag të samitit të Aleancës në Ankara, ku liderët do të mblidhen për një darkë zyrtare përballë presidentit amerikan Donald Trump, pritet të zhvillohet edhe një garë e heshtur mes shteteve anëtare për të treguar përparimin e tyre në përmbushjen e angazhimeve të mbrojtjes.

Sipas objektivave të rënë dakord në samitin e Hagës vitin e kaluar, vendet e NATO-s janë angazhuar të rrisin gradualisht shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, një objektiv i shtyrë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht, Italia paraqitet me një nivel shpenzimesh prej rreth 2.8% të PBB-së, ndërsa një pjesë e planeve të reja mbeten të pasigurta për shkak të ngrirjes së disa programeve ushtarake në muajt e fundit.

Synimi për një rritje të mëtejshme prej rreth 0.5% në periudhën 2027–2029, që do të përkthehej në mbi 12 miliardë euro shtesë, konsiderohet ende vetëm një plan afatmesëm me realizueshmëri të paqartë, duke marrë parasysh gjendjen e financave publike.

Kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar se vendi ka bërë një rritje të fundit prej 0.7%, por sipas kritikëve, kjo rritje përfshin kryesisht shpenzime të përgjithshme për sigurinë dhe jo shpenzime ushtarake në kuptimin e ngushtë.

Në vitet e kaluara, Italia kishte rritur nivelin e shpenzimeve duke përfshirë edhe kategori si Garda Bregdetare, një metodologji që ishte pranuar në nivel teknik nga NATO.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse rritja e fundit do të pranohet plotësisht nga aleanca, pasi nuk është specifikuar qartë se cilat zëra përfshihen në këtë 0.7% shtesë.

Në këtë kontekst, ekspertët paralajmërojnë se paqartësitë dhe vonesat në investimet e mbrojtjes mund të ushqejnë narrativën e presidentit amerikan Donald Trump, sipas të cilit barra e sigurisë së Evropës mbetet kryesisht mbi Shtetet e Bashkuara.

objektivi i 5% i pbb-së

Lini një Përgjigje