Nga protesta e 23-të radhazi para Kryeministrisë, protestuesit vijuan me thirrjet kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa një pjesë e fjalimeve iu drejtuan edhe faktorit ndërkombëtar.
Një prej protestuesve deklaroi se shqiptarët janë populli më pro-amerikan dhe ndër më pro-evropianët, duke kërkuar që partnerët ndërkombëtarë të mbështesin qytetarët që po protestojnë.
“Një thirrje për Parlamentin Europian. Jemi popull evropian dhe kjo protestë e ka treguar. Të gjithë eurodeputetëve u bëj thirrje të mbajnë një qëndrim, të pozicionohen në krah të popullit më evropian dhe jo të një diktatori”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, protestuesi iu drejtua edhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, duke kërkuar angazhim për të shmangur tensionet.
“Kam një thirrje për ambasadorin e SHBA-së, Eric Wendt. Ai ka një kulturë ushtarake dhe e kupton. Kur një diktator e shtyp popullin e vet, cila është mënyra që mund ta rrëzojmë atë diktator? Ne e dimë që është protesta. Të lutem zoti ambasador, parandalo çdo konflikt e incident. Ambasada duhet të ndërhyjë, sepse jemi populli më pro-amerikan në botë dhe ky popull ka nevojë për aleatët e tij”, tha protestuesi.
Gjatë tubimit, një tjetër pjesëmarrës u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin dhe të mos bien pre e përçarjeve.
“I bëj thirrje të gjithëve që të bashkohen. Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për ju. Qeveria ka futur të gjithë mekanizmat për ta përçarë këtë protestë. Bashkohuni, sepse bashkë nuk na rrëzojnë dot”, u shpreh ai.
Protesta para Kryeministrisë po zhvillohet në ditën e 23-të radhazi, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje