Kreu i SPAK, Klodian Braho, komentoi situatën ligjore të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se nuk jep qëndrime për çështje konkrete që janë ende në proces hetimor apo gjyqësor.
I pyetur nga deputetja Elda Hoti për arsyet pse Ilir Meta vijon të mbahet në burg, ndërsa Sali Berisha ka detyrimin të paraqitet dy herë në muaj në Prokurori, Braho u përgjigj se çdo person ndaj të cilit zhvillohet një procedim penal ka të drejtë të ndjekë rrugët ligjore për të kundërshtuar masat e sigurisë.
“Të gjitha pyetjet tuaja lidhen me çështje konkrete dhe unë nuk kam koment. Kush është i proceduar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatë dhe ta çojë çështjen edhe në gjykata më të larta”, deklaroi ai.
Lidhur me pretendimet për afera që përfshijnë kryeministrin Edi Rama, kreu i SPAK ritheksoi se çdo akuzë duhet të mbështetet me prova dhe të referohet pranë organeve kompetente.
“Sa i përket ndërhyrjeve të kryeministrit, nëse keni prova, paraqitini në organin kompetent. Ajo që them unë është se të gjithë janë të barabartë para ligjit”, u shpreh Braho.
Ndërsa i pyetur për çështjen e ndërtimeve në Kurbin, ai bëri të ditur se procedimi penal është ende në zhvillim.
“Në lidhje me çështjen e ndërtimeve në Kurbin, është një çështje në hetim”, tha ai.
Lini një Përgjigje