Teksa Lamine Yamal festonte 19-vjetorin e lindjes dhe kualifikimin e Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, persona të paidentifikuar tentuan të hynin në banesën e tij në Esplugues de Llobregat, në Katalonjë.
Sipas të përditshmes spanjolle La Vanguardia, tentativa për grabitje dështoi pasi rojet private të futbollistit vunë re lëvizje të dyshimta përmes kamerave të sigurisë. Sapo u diktuan, autorët u larguan pa arritur të hynin në banesë.
Në të njëjtën zonë, gjatë së njëjtës ditë, u raportuan edhe dy grabitje në banesa të tjera. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar nëse autorët e tyre janë të njëjtët persona që tentuan të grabisnin shtëpinë e sulmuesit të Barcelonës dhe të kombëtares spanjolle.
Pas incidentit, stafi i sigurisë së Yamal bëri kallëzim në polici, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas dyshimeve paraprake, objektivi i grabitësve mund të ketë qenë koleksioni i bizhuterive dhe orëve me vlerë të futbollistit, megjithëse motivi i saktë do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve.
Banesa e Lamine Yamal ka qenë edhe më herët në qendër të vëmendjes mediatike, pasi në të kaluarën është banuar edhe nga ish-futbollisti Gerard Piqué dhe këngëtarja Shakira.
Lini një Përgjigje