Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ngriti në Komision çështjen e krimit zgjedhor, duke akuzuar SPAK-un për zbatim të standardeve të dyfishta. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka qenë e ashpër në masat ndaj drejtuesve të opozitës, ndërsa nuk ka goditur grupet kriminale që kanë ndikuar në proceset zgjedhore.
Në përgjigje, kreu i SPAK, Klodian Braho, theksoi se krimi zgjedhor mbetet një fenomen shqetësues për institucionin, por nënvizoi se çdo procedim penal mbështetet vetëm në prova dhe jo në perceptime apo pretendime politike.
Braho tha se SPAK e konsideron krimin zgjedhor një problem serioz, duke kujtuar se nuk është një fenomen i krijuar së fundmi, por një problem që ka shoqëruar proceset zgjedhore prej vitesh.
"Krimi zgjedhor është një fenomen që është shqetësues dhe ne na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen që ne pajtohemi me të. Është një fenomen që nuk është krijuar brenda një viti apo brenda dy vjetësh, ka një periudhë të gjatë kohore", u shpreh ai.
Kreu i SPAK theksoi se hetimet dhe ngritja e akuzave nuk mund të bazohen në dyshime apo perceptime, por vetëm në prova të administruara gjatë hetimit.
"Ajo që duhet të kuptojmë... është që çështjet bazohen në akuzë kur gjenden provat. Pa prova nuk mund të ngrihen as akuza dhe as të dërgohen çështjet. Unë nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë... për përfaqësuesit e njërës palë apo përfaqësuesit e palës tjetër", deklaroi Braho.
Ai shtoi se pretendimet për trajtim të pabarabartë janë çështje perceptimi dhe se SPAK nuk ndikohet nga deklaratat politike, por nga materialet që përmbajnë dosjet hetimore.
Braho garantoi gjithashtu se në Prokurorinë e Posaçme nuk mund të ndodhë që prova të neglizhohen gjatë hetimeve, duke theksuar se çdo provë e administruar trajtohet sipas ligjit.
Në përfundim, kreu i SPAK ritheksoi se institucioni nuk komenton deklarata politike dhe se të gjithë qytetarët trajtohen njësoj përballë ligjit, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
"Unë po i marr çështjet me radhë sipas radhës që ju i ngritët. Përsa i përket krimit zgjedhor, ne patëm një diskutim të gjatë në komisionin përkatës dhe aty dhamë edhe paraqitëm të gjitha shifrat që ne disponojmë dhe i përmendët dhe sot në mënyrë të përmbledhur. Krimi zgjedhor është një fenomen që është shqetësues dhe ne na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen që ne pajtohemi me të. Është një fenomen që nuk është krijuar brenda një viti apo brenda dy vjetësh, ka një periudhë të gjatë kohore.
Ajo që duhet të kuptojmë, ju ftoj ta mendoni veten tuaj dhe ju në rolin e juristit apo të prokurorit, që çështjet bazohen në akuzë kur gjenden provat. Pa prova nuk mund të ngrihen as akuza dhe as të dërgohen çështjet. Unë nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë, me t'ju thënë të drejtën, për përfaqësuesit e njërës palë apo përfaqësuesit e palës tjetër. Keni përmendur dhe disa raste dhe unë nuk shoh lidhje të këtyre rasteve me reagimin e SPAK-ut për çështjet zgjedhore.
Por mendoj që ky është një perceptim. Është te politikanët, mund të jetë edhe më i gjerë, por nga ana jonë ne nuk nisemi nga perceptimet, ne nisemi nga ajo që ka dosja. Dhe ju siguroj që nëse në dosje do ketë provat e nevojshme, kushdo që të jetë, nga cilado anë të jetë, do mbajë përgjegjësi për atë veprim që ka kryer.
Përsa i përket temës së dytë që lidhet me një kërkesë që ne kemi paraqitur në parlament, komisioni përkatës... prokuroria ka qenë e qartë për kërkesat, ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar. Por unë sot nuk mund të vlerësoj apo të rivlerësoj qëndrimin e kuvendit për një kërkesë të caktuar. Nuk mund të them më tej detaje konkrete, është një çështje konkrete. Mbase në një moment të mëvonshëm prokuroria do vijë në një qëndrim apo do ketë një deklaratë, por nuk mund të komentoj sot një çështje konkrete. Ajo që është e qartë, është që prokuroria e ka pasqyruar në atë diskutimin me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë dhe reagimi i prokurorisë pas vendimmarrjes së kuvendit. Përsa i përket temës së tretë, nga ana jonë ne nuk i etiketojmë dosjet me emërtime apo...
Në SPAK çdo gjë është penale nga numër, datë, dhe vit. Nuk dua përsëri që të ndalem te çështje konkrete dhe as... edhe po të doja është një çështje që është në hetim, por ajo që unë ju garantoj është që nuk mund të ndodhë në prokurorinë e posaçme që të ketë një provë në një dosje, për çfarëdo lloj dosje, dhe ajo provë të lihet aty në gjumë apo të mos reagohet. Të bëjmë një gjë të qartë, tjetër gjë është një dosje e caktuar, tjetër gjë mund të thuhet, mund të flitet, po këto nuk janë elementë provë, këto janë hamendësime, opinione.
Sigurisht në një moment të caktuar do përfundojnë hetimet dhe aty është momenti pastaj që institucioni mund të bëjë transparencë më shumë për një hetim të caktuar. Përmendët deklarata apo komente politike, nuk i komentojmë komentet politike të asnjë pale dhe të asnjë personi. E kemi treguar me çështjet e mëparshme dhe çështjet që kemi në zhvillim që për SPAK-un janë të gjithë të barabartë para ligjit. Faleminderit.", tha Braho.
Lini një Përgjigje