TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Qershor 2026, 16:00

Sherri në Policinë e Shkodrës, përjashtohet nga radhët e uniformave blu ish-drejtori Gentian Berberi

Shkruar nga Pamfleti
Sherri në Policinë e Shkodrës, përjashtohet nga radhët
Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi

Pas shkarkimit nga drejtimi i Policisë së Shkodrës dhe një incidenti në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Gentian Berberi është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.

Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit pas përfundimit të një hetimi disiplinor të zhvilluar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Megjithatë, vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë, pasi pritet të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Apelimit.

Procedimi disiplinor ndaj Berberit nisi më 25 qershor 2026, pasi ai u pezullua nga detyra në lidhje me një incident të ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas të dhënave, Berberi ishte paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore, ku dyshohet se përdori gjuhë fyese dhe ushtroi presion verbal ndaj saj, duke shprehur pakënaqësinë për detyrën e re që i ishte caktuar.

Pas raportimit të ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të tij, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi hetimin disiplinor.

Ndërkohë, drejtoresha e Burimeve Njerëzore depozitoi kallëzim penal pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke pretenduar se ishte ofenduar dhe kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës.

Vetëm pak ditë para incidentit, Berberi ishte shkarkuar nga detyra si drejtor i Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët në luftën kundër kultivimit të kanabisit, pas evidentimit dhe asgjësimit të disa parcelave me bimë narkotike në territorin e qarkut.

Pas shkarkimit, ai ishte transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku iu caktua një detyrë në sektorin e Analizës. Pikërisht pakënaqësia me këtë emërim dyshohet se çoi në incidentin që u bë objekt i hetimit disiplinor.

Në përfundim të procedurës, Drejtoria e Standardeve Profesionale vendosi përjashtimin e Gentian Berberit nga radhët e Policisë së Shtetit. Megjithatë, masa do të marrë formë të prerë vetëm pasi të shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit.

ish-drejtori i policisë së shkodrës gentian berberi perjashtim policia e shtetit

1 Komente

  1. N
    Neomalësori

    Hahahahah keni përjashtuar tmerrin e Shkodres?!!

    Lini një Përgjigje