Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë në Tiranë vijoi edhe sot, ndërsa kësaj radhe në shesh u shfaq një mesazh simbolik në emër të diasporës shqiptare dhe të rinjve që janë larguar nga vendi.
Në mes të protestës u vendosën karrige bosh, mbi të cilat ishin afishuar postera me mbishkrimet “Ikur në Angli”, “Ikur në Belgjikë”, “Ikur në Austri” dhe “Ikur në Gjermani”. Simbolika synonte të përfaqësonte të rinjtë shqiptarë që kanë emigruar në vitet e fundit dhe që nuk kanë mundësi të jenë fizikisht në protestë për të shprehur qëndrimet e tyre.
Sipas protestuesve, karriget bosh përfaqësojnë mungesën e një brezi të tërë që ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale, duke kërkuar njëkohësisht më shumë vëmendje ndaj fenomenit të emigracionit.
Protesta, e cila nisi pas incidenteve të ndodhura gjatë një aksioni kundër resortit të familjes Kushner në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje qytetare që vijon prej 12 ditësh. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët kanë ngritur shqetësime që lidhen me situatën ekonomike, kushtet sociale dhe qeverisjen e vendit.
Pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësi edhe ndaj klasës politike në tërësi, ndërsa kanë kërkuar ndryshime dhe më shumë përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore.
Lini një Përgjigje