TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 11:24

Diaspora zbarkon në protestë, mbi 300 shqiptarë vijnë nga Londra; aktivisti thirrje Ramës: Të ka mbaruar koha

Shkruar nga Pamfleti
Diaspora zbarkon në protestë, mbi 300 shqiptarë vijnë nga
Protesta

Aktivisti shqiptar me banim në Londër, Dritan Toçi, njoftoi se mbi 300 shqiptarë janë nisur nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë për t'iu bashkuar protestës së paralajmëruar.

Sipas Toçit, pjesëmarrësit do ta nisin marshimin simbolik nga Shkodra, për të vijuar më pas drejt Tiranës. Ai nuk dha hollësi mbi organizimin e protestës, duke u shprehur se detajet do t'i bëjë publike në një moment të mëvonshëm.

Në një lidhje direkte me News24, Toçi tha se jeton dhe punon prej 13 vitesh në Britaninë e Madhe dhe se gjatë kësaj periudhe ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë zhvilluar protesta çdo fundjavë përpara Ambasadës së Shqipërisë në Londër.

Sipas tij, protesta synon të shprehë pakënaqësinë e diasporës dhe të qytetarëve ndaj qeverisë. Ai deklaroi se ekzekutivi ka dështuar dhe kërkoi largimin e tij sa më parë.

Aktivisti tha se pjesëmarrësit kërkojnë "një të ardhme më të mirë" dhe se protesta organizohet nga qytetarë dhe diaspora, duke shtuar se synimi i tyre është, sipas tij, "t'ua rikthejnë Shqipërinë shqiptarëve".

Duke folur për mundësinë e incidenteve gjatë protestës, Toçi u shpreh se i vjen keq nëse krijohen përplasje dhe se "gjithçka mund të ndodhë", por shtoi se përgjegjësinë për një situatë të tillë e mban qeveria. Ai kërkoi reagim nga institucionet.

Toçi bëri të ditur gjithashtu se aktivitetet e tyre nuk do të ndalen me këtë protestë. Sipas tij, një grup tjetër do të zhvillojë një protestë edhe të nesërmen në Londër.

Ai e krahasoi protestën që përfaqëson me tubimet e organizuara nga partitë politike, duke thënë se gjatë protestave të tyre nuk janë regjistruar akte dhune apo dëmtime të pronës. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të lënë mënjanë ndarjet politike dhe të bashkohen rreth, sipas tij, interesit të vendit.



protesta londra shqiptare

Lini një Përgjigje