Gazetari Lutfi Dervishi ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, qeveria ka trajtuar debatin mbi fondin prej 4 milionë eurosh për koncertin e artistit amerikan Kanye West, duke theksuar se problemi nuk qëndron te shuma e parave, por te mospërputhja mes deklaratave publike dhe veprimeve.
Dervishi tha se deklaratat e mëparshme të përfaqësuesve të qeverisë, sipas të cilave nuk do të përdoreshin para nga buxheti i shtetit, bien ndesh me qëndrimet e mëvonshme se fondet do të rikthehen. Sipas Dervishit, çështja nuk lidhet vetëm me përdorimin e 4 milionë eurove, të cilat, sipas tij, mund të ishin investuar në sektorë të tjerë si shërbimet emergjente apo infrastruktura, por me mesazhin që përcillet nga pushteti.
Ai argumentoi se në Shqipëri është krijuar një mentalitet sipas të cilit pushteti konsiderohet i pazëvendësueshëm, ndërsa rotacioni politik trajtohet si një rrezik për vendin.
Gazetari u ndal edhe te protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit, duke vlerësuar se ato kanë krijuar një mundësi për reflektim nga ana e qeverisë. Sipas tij, protestuesit nuk kanë kërkuar zëvendësimin e pushtetit me një forcë tjetër politike, por kanë kërkuar ndryshim në mënyrën e qeverisjes. Megjithatë, ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, deklaratat për dëgjimin e qytetarëve nuk janë shoqëruar me veprime konkrete.
“Problemi është që këtu nuk ka rëndësi fjala. Ku shkon fjala e ministrit të Financave, ministres tjetër, deputetëve që thonë zero lekë nga buxheti i shtetit… Tani thonë “do kthehen mbrapsht”. Domethënë, të tallesh me ndërgjegjen normale të një njeriu. Nuk po flasim sa kthehen mbrapsht e sa do ikin. Ajo çfarë mbetet është kjo: këtu ka një mentalitet tjetër. Ne mund të bëjmë çfarë të duam. Ne e pranojmë që gabojmë, por nuk mendohet kurrë që ne mund të ikim nga pushteti. Dhe barazimi i një partie, një njeriu, me Shqipërinë. Kjo është komplet anormale dhe alogjike. Populli mund të gabojë, por populli është ai që i korrigjon shumë shpejt. Ikja nga pushteti, largimi, hapja e krahut, rotacioni i ka bërë PS-ja.
Ka ndërruar 4-5 kryeministra. Nuk e gjeti gjë Shqipërinë. Vazhdoi proceset, eci përpara. Domethënë, nuk ka qenë tragjedi ndonjëherë ndërrimi i një kryeministri, as ndërrimi i një qeverie dhe as rotacioni politik. Po përjetohet si tragjedi kombëtare nëqoftëse ndodh një lloj ndryshimi. Protesta e ka dhënë mundësinë, 40 ditë po jep një mundësi, thotë “ne nuk kemi krijuar parti politike, nuk po kërkojmë të largoheni ju e të vijmë ne”. I ka dhënë një mundësi për të ndryshuar. Çfarë është ndryshimi? Këtu janë vetëm disa fjalë. “Po ju dëgjojmë, po mbajmë shënime”. Me veprime konkrete bëjnë të kundërtën. Dhe në këtë rast, kjo është simbolika e këtij veprimi. Nuk është thjesht çështja e 4 milionë eurove që mund të ishin blerë avionë për zjarrfikëse, apo të ishin bërë ambulanca, apo të ishin investuar në fusha të tjera. Nuk është thjesht kjo aritmetikë e buxhetit. Është thjesht gjesti që ti bën, që thjesht shpërfill edhe fjalën që ke dhënë vetë”, tha Dervishi në studion e “Off the Record”, në A2CNN.
Lini një Përgjigje