Pamje të rënda janë parë ditën e sotme nga protesta e zhvilluar para Kuvendit, ku situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Sipas një denoncimi të një qytetari, është raportuar një incident ku një i ri dyshohet se është marrë nga një lokal pranë zonës së Kuvendit nga truprojet e Ulsi Manjës dhe është dhunuar.
Ndërkohë disa prej protestuesve kanë goditur me vezë deputetët, çka ka bërë që policia të reagojë duke i shoqëruar në komisariat.
Në të njëjtën kohë disa protestues çanë gardhin metalik dhe tentuan të hyjnë brenda Parlamentit, gjë që bëri që Policia të përdorte edhe spray lotsjellës.
Mëngjesin e sotëm një pjesë e ligjvënësve socialistë ishin futur në sallë më herët, ndërsa të tjerët që mbërritën më vonë u sulmua me vezë dhe miell nga një grup protestuesish. Policia ndërhyri duke shoqëruar 5 prej tyre.
Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.
Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.
Lini një Përgjigje