TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 11:05

"Mos bini pre e 50 mijë lekëve", protestuesja apelon për pjesëmarrje në revoltë: Rama dhe Kuvendi të japin llogari para shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti
"Mos bini pre e 50 mijë lekëve", protestuesja apelon
Pamje nga protesta para Kuvendit

Tensionet para godinës së Kuvendit vijojnë edhe gjatë zhvillimit të seancës plenare, ku protestuesit kanë mbetur të pozicionuar përballë Parlamentit, duke përsëritur thirrjet: "Parlament i krimit, dorëzoni mandatet".

Protesta e kësaj të enjteje është shoqëruar me incidente që prej orëve të para të mëngjesit. Më herët, protestuesit u përplasën me forcat e policisë, u hoq një pjesë e gardhit metalik të vendosur për sigurinë e Parlamentit, ndërsa efektivët përdorën sprej irritues për të shpërndarë turmën. Gjatë tensioneve u shoqëruan disa protestues dhe mbeti i lënduar edhe një efektiv policie, i goditur në kokë me një gur.

Pavarësisht përplasjeve, protesta ka vijuar me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

Gjatë tubimit, një protestuese u bëri thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t'i bashkohen protestës, ndërsa iu drejtua edhe pensionistëve, duke iu referuar bonusit të shpallur nga qeveria.

“I bëj thirrje pensionistëve të mos bien pre për 50 mijë lekë të vjetra që u ka thënë se do t’u japë. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen me ne, ta heqim zvarrë këtë kriminel. Edi Ramën, Ballukun, Taulant Ballën, të gjithë parlamentin të japin llogari. Të dalin këtu nëse nuk kanë futur duart në xhepin e popullit”, u shpreh protestuesja.

Protestuesit kanë deklaruar se do ta vijojnë tubimin edhe gjatë zhvillimit të seancës plenare, ndërsa në zonën përreth Kuvendit mbeten të pranishme forca të shumta policie dhe masat e sigurisë vijojnë të jenë të shtuara.

 

Lini një Përgjigje