Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas protestës së zhvilluar pranë Kuvendit, duke akuzuar qeverinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve. Ai deklaroi se ndërhyrja e policisë u bë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Taulant Balla.
“Me urdhër të Edi Ramës, sot narkopolicia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, përdori spray ariu, lëndë piroteknike, topat e ujit, zvarritjen, përgjakjen e protestuesve paqësorë me një egërsi të papërmbajtur”, u shpreh Berisha.
Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së tha se partia e tij e ndoqi me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve gjatë protestës.
“Partia Demokratike ndoqi sot me shqetësimin më të madh, skenat e dhunës shtazarake të urdhëruar nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë që kishin rrethuar parlamentin.”, tha ai.
Berisha shtoi se, sipas tij, veprimet e autoriteteve tregojnë mënyrën se si qeveria kërkon të mbrojë pushtetin.
Sipas Berishës, gjatë protestës pati edhe ndalime të pjesëmarrësve nga policia.
“Me dhjetëra e dhjetëra protestues u morën forcërisht dhe me dhunë për t'u transferuar në qelitë e komisariateve.”
Në përfundim, ai kërkoi lirimin e të gjithë personave të ndaluar dhe u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin protestën.
Lini një Përgjigje