TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2026, 20:12

Protestuesit përsërisin kërkesat: Largimi i Ramës, kusht i panegociueshëm

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesit përsërisin kërkesat: Largimi i Ramës, kusht i
Foto nga protesta

Në ditën e 27-të të protestës qytetare, organizatorët kanë përsëritur kërkesat që, sipas tyre, janë bërë tashmë platforma politike e lëvizjes.

Para godinës së Kryeministrisë, në emër të grupit koordinues të protestës, një protestuese lexoi edhe një herë deklaratën me kërkesat që qytetarët i cilësojnë të panegociueshme, duke theksuar se ato janë ndërtuar mbi propozimet e mbledhura gjatë ditëve të fundit nga pjesëmarrësit në protestë.

Në krye të listës mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë qeverisë, ndërsa kërkohet edhe ngritja e një qeverie teknike transitore jopartiake me mandat 12-mujor.

Protestuesit përsëritën gjithashtu kërkesën për ndryshime kushtetuese, të cilat sipas tyre duhet t'i nënshtrohen referendumit popullor. Mes tyre përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.

Po ashtu, u ritheksua kërkesa për anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe heqjen e statusit të investimeve strategjike.

Grupi koordinues deklaroi se protesta do të vijojë deri në plotësimin e këtyre kërkesave, ndërsa theksoi se një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të hartohet pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë jopartiakë.

Edhe gjatë mbrëmjes së sotme nuk kanë munguar thirrjet "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg", ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë të mblidhen çdo ditë deri në realizimin e objektivave të shpallura nga lëvizja.

Lini një Përgjigje