Protesta e 45-të qytetare para Kryeministrisë është shoqëruar me një tjetër mesazh nga podiumi, këtë herë për zhvillimet në Bruksel, ku ndodhet kryeministri Edi Rama në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se një grup shqiptarësh janë mbledhur në Bruksel për të protestuar, me synimin që, sipas saj, t'i paraqesin Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, një panoramë tjetër mbi situatën në Shqipëri.
“Sot janë mbledhur qytetarë në Bruksel për t'i treguar Marta Kos se si qëndron e vërteta e qeverisjes shqiptare. Si gjatë gjithë këtyre ditëve, kur nuk kemi qenë vetëm, me eurodeputetë, me zv.presidentin e Parlamentit Europian dhe ambasadorë, edhe sot ata kanë ardhur të na mbështesin në Bruksel. Kryetari i studentëve europianë ka qenë në Bruksel me protestuesit dhe jo në konferencën e kryeministrit. Të vetmit që nuk e shohin protestën janë kryeministri dhe shërbëtorët e tij”, deklaroi Kokaj.
Aktivistja u ndal edhe te kallëzimet e depozituara në institucionet e drejtësisë, duke i cilësuar ato si një mbështetje për protestën.
“Denoncimet në SPAK dhe në Gjykatën Kushtetuese për aferat janë një mbështetje e fortë dhe, ashtu si ata mbështesin protestën, edhe ne do të jemi në mbështetje të tyre. Nuk është e vërtetë që s'po japim rezultat. Nuk numërohen numrat, por ditët e qëndrimit në shesh”, u shpreh ajo.
Në fund të fjalës së saj, Kokaj u bëri thirrje qytetarëve që t'i bashkohen protestës.
“Kam një thirrje për të gjitha nënat: merrni fëmijët dhe hajdeni në shesh”, përfundoi aktivistja.
Lini një Përgjigje