Policia e Shtetit ka proceduar në gjendje të lirë 30 persona këtë të premte, pas tubimit të zhvilluar ditën e djeshme përpara godinës së Parlamentit.
Sipas njoftimit zyrtar, këta shtetas akuzohen se kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, kanë prishur rendin publik, si dhe kanë penguar qarkullimin e transportit publik.
Gjithashtu, gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë dy protestues të tjerë. Orion Peçi dhe Artemisa Islamaj, u ndaluan nga agjentët e Komisariatit nr. 1 dhe pritet të dalin në gjykatë për masë sigurie brenda 72 orësh. Ata akuzohen se kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve të transportit publik, kanë goditur e kundërshtuar efektivët e policisë, si dhe kanë përdorur lëndë plasëse gjatë protestës.
Gjatë protestës që zgjati më shumë se 8 orë, përplasja e protestuesve me policinë ishte e vazhdueshme, e shpërndarë të paktën në 3 pika të ndryshme. Vezët dhe domatet e bëra gati për deputetët, në pamundësi për t’ia hedhur atyre, nuk kursyen policinë.
Pjesa më e madhe e njerëzve u mblodhën në fillim të pedonales, pranë qendrës tregtare, aty ku pati tentativa për të çarë rrethimin e policisë herë pas here. Blutë i shpërndanë me spray piper dhe ujë nga autobotet.
Një pjesë u zhvendosën te Ministria e Brendshme dhe disa fillim të rrugës “George W. Bush”, nga ana e xhamisë së Namazgjasë. Të paktë në numër, por të mjaftueshëm për të krijuar “beteja” me policinë dhe bllokim të rrugëve me kosha mbeturinash.
Prej përplasjeve nga të dyja palët, 17 përfunduan në spital, 11 protestues me djegie prej spray-t e gurëve që vetë ndajë njëri-tjetrit, dhe 6 efektivë policie të dëmtuar prej sendeve të forta.
Lini një Përgjigje