
Ish-sulmuesi i Anglisë, Gary Lineker, ka kritikuar ashpër presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, pas polemikave të krijuara nga vendimi për të pezulluar dënimin e sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun.
Infantino po përballet me presion të madh pasi FIFA vendosi të pezullojë dënimin me një ndeshje të Balogun, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq në fitoren 2-0 të Shteteve të Bashkuara ndaj Bosnje-Hercegovinës. Si pasojë e këtij vendimi, sulmuesi u lejua të luante në ndeshjen e fazës së 1/8-ave ndaj Belgjikës.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta, sidomos për faktin se mbrojtësi anglez Jarrell Quansah u dënua me dy ndeshje pas kartonit të kuq të marrë ndaj Meksikës. Kjo do të thotë se ai do të humbasë çerekfinalen e Anglisë ndaj Norvegjisë dhe, nëse “Tre Luanët” kualifikohen, edhe gjysmëfinalen.
Kontestimet janë shtuar edhe më shumë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi publikisht se kishte kërkuar nga FIFA rishikimin e çështjes së Balogun, duke ngritur pikëpyetje për ndikimin politik në vendimmarrjen e institucionit më të lartë të futbollit botëror.
Duke folur në emisionin “The Rest is Football”, Lineker u shpreh se pozicioni i Infantinos në krye të FIFA-s është vënë seriozisht në diskutim.
“Mendoj se pozicioni i tij në FIFA tani është pothuajse i paqëndrueshëm”, deklaroi ish-kapiteni i Anglisë.
“FIFA e ka krijuar vetë këtë situatë. Si është e mundur që Quansah dënohet me dy ndeshje, ndërsa Balogun i shpëton pezullimit? Është një skandal dhe një imazh shumë i keq për FIFA-n”, tha ai.
Kritikave iu bashkua edhe ish-mesfushori i Chelseat, Joe Cole, i cili e krahasoi Infantinon me personazhin komik Basil Fawlty.
“Ai ka vetëm një punë për të bërë, por vazhdimisht pengohet dhe i prish gjërat vetë”, u shpreh Cole.
Ndërsa Micah Richards e quajti mënyrën se si FIFA menaxhoi çështjen e Balogun “një farsë absolute”.
Edhe UEFA reagoi me një deklaratë të fortë, duke e cilësuar vendimin e FIFA-s si “të pakuptueshëm” dhe duke theksuar se ai kishte “kaluar vijën e kuqe”.
Pakënaqësi shprehu edhe Federata Belge e Futbollit, e cila kërcënoi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj FIFA-s, duke deklaruar se ishte “e habitur” nga ky vendim i paprecedentë.
Megjithatë, polemika nuk ndikoi në rezultatin e ndeshjes, pasi Balogun pati një paraqitje të zbehtë dhe SHBA u eliminua pas humbjes së thellë 4-1 ndaj Belgjikës.
Lini një Përgjigje