TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Qershor 2026, 18:21

Protesta e tretë kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e tretë kundër projektit në Zvërnec, qytetarët
Pamje nga protesta

Qindra qytetarë kanë dalë sërish në rrugë kundër investimit

Për të tretën ditë me radhë, qindra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në Tiranë për të protestuar kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në Zvërnec.

Tubimi ka nisur në Sheshin Skënderbej, ku protestuesit janë grumbulluar me pankarta dhe thirrje kundër projektit, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë. Organizatorët raportojnë për një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve, ndërsa kundërshtimi ndaj investimit duket se po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Me pankarta ku lexohen mesazhe si “Zvërneci nuk preket”, “Anulo projektin” dhe “Shqipëria nuk është në shitje”, protestuesit kërkojnë ndalimin e investimit që sipas qeverisë kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove. Sipas tyre, beteja nuk është kundër zhvillimit apo investimeve të huaja, por për mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore në vend.


Në protestë janë parë aktivistë mjedisorë, të rinj, familjarë dhe qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët kanë zgjedhur të dalin në rrugë për të kundërshtuar projektin. Nuk kanë munguar as pankartat me mesazhe kundër klasës politike, ndërsa një pjesë e protestuesve kanë artikuluar kritika ndaj të gjithë spektrit politik.

Protesta e tretë kundër projektit në Zvërnec, qytetarët

Mobilizimi i sotëm vjen pasi protestat kundër projektit kanë vijuar për disa ditë radhazi. Debati u intensifikua pas ngjarjeve të së shtunës në Zvërnec, ku pati tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private, pamje që më pas u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Protesta e tretë kundër projektit në Zvërnec, qytetarët

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale duke publikuar edhe një video nga protestat dhe duke u bërë thirrje kundërshtarëve të projektit të ulen në dialog. Kreu i qeverisë u ka kërkuar protestuesve të zgjedhin deri në 20 përfaqësues për një takim publik, ku sipas tij mund të diskutohen të gjitha shqetësimet që lidhen me investimin, pronat, transparencën dhe mbrojtjen e natyrës.

Ftesa e Ramës për dialog ka sjellë reagime të ndryshme mes protestuesve, ndërsa organizatorët kanë bërë të qartë se kundërshtimi ndaj projektit do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Protesta e tretë kundër projektit në Zvërnec, qytetarët

Nga ana tjetër, qeveria vijon ta mbrojë investimin, duke e konsideruar atë si një nga projektet më të mëdha turistike të planifikuara ndonjëherë në Shqipëri dhe me ndikim të rëndësishëm në ekonomi, punësim dhe zhvillimin e turizmit.

Teksa marshimi po vijon drejt Kryeministrisë, organizatorët kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen dhe se presioni qytetar do të vazhdojë deri në tërheqjen e projektit.

2 Komente

  1. s
    ss

    Lajm historik per shqipetaret dhe shqiperine. Nje vend qe po lengon dhe vetem po varferohet. Rama te jape doreheqjen sa nuk eshte vone!

    1. K
      Kaci

      Pse te jape doreheqjen?? Apo pse te nxorri nga llumi i botes se trete dhe po perpiqet te te fuse ne Europe. Kush po lengon?? Kur ke qene me mire ekonomikisht dhe me i njohur nderkombetarisht?? Apo kur haje speca me racion dhe na njihnin si njerez me bisht.

    Lini një Përgjigje