
Protesta qytetare për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e qeverisë ka hyrë në ditën e 15-të radhazi, me mijëra qytetarë që u mblodhën sërish këtë të diel para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit kërkuan largimin e qeverisë dhe zhvillimin e ndryshimeve politike, ndërsa marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Tubimi tërhoqi vëmendjen edhe të turistëve të huaj që ndodheshin në Tiranë. Disa prej tyre u afruan pranë protestës për të ndjekur nga afër zhvillimet, ndërsa të tjerë u bashkuan me qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë.
Prania e turistëve në protestë u interpretua nga organizatorët si një tregues se tubimet e përditshme nuk po ndikojnë negativisht në fluksin e vizitorëve të huaj në kryeqytet.
Protestuesit pretendojnë se pjesëmarrja e turistëve në aktivitetet publike dhe interesimi i tyre për protestën bien ndesh me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka argumentuar se manifestimet e vazhdueshme mund të ndikojnë në rezervimet dhe aktivitetin turistik.
Ndërkohë, protesta vijon për të 15-ën ditë radhazi, me organizatorët që kanë paralajmëruar vazhdimin e tubimeve deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje