Vendimi i deputetes së Qarkut të Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalsorja”, për t’u larguar nga grupi parlamentar socialist është pritur me duartrokitje dhe ovacione nga protestuesit e mbledhur në qendër të Tiranës.
Gjatë protestës, një prej organizatorëve iu referua vendimit të deputetes, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm dhe i bëri thirrje që t’i bashkohet lëvizjes qytetare në shesh.
“Duhet të rrimë në shesh, ata do të bien si gurë dominoje. Ne vlerësojmë vendimin e marrë nga deputetja Marjana Koçeku, por themi që kjo është vetëm gjysma e punës. Gjysma tjetër është të vijë në shesh e të këndojë me ne ‘Rama jepe dorëheqjen’. Do të jemi këtu derisa Rama të ngelet vetëm, kur të jetë në qeli”, u shpreh ai.
Reagimi i protestuesve vjen vetëm pak orë pasi Koçeku njoftoi përmes rrjeteve sociale se do të vijojë aktivitetin e saj politik si deputete e pavarur. Në mesazhin e saj, ajo theksoi se vendimi lidhet me idealet dhe vlerat që ka pasur para angazhimit në një forcë politike.
Largimi i “Neomalsorjes” po komentohet gjerësisht në skenën politike, pasi vjen në një moment kur brenda Partisë Socialiste janë shtuar zërat kritikë ndaj drejtimit të partisë dhe mënyrës së qeverisjes. Për protestuesit, ky vendim shihet si një tregues se pakënaqësitë ndaj Edi Ramës nuk po artikulohen vetëm në rrugë, por po shfaqen edhe brenda mazhorancës.
Lini një Përgjigje