
Një protestuese nga diaspora shqiptare mori fjalën në tubimin qytetar sot në Tiranë, duke theksuar rolin e emigrantëve në mbështetjen e familjeve të tyre dhe duke garantuar se diaspora do të vazhdojë të jetë pjesë e protestave.
“Jam sot këtu për të treguar se diaspora nuk është këtu vetëm një ditë, por do të jemi çdo ditë”, deklaroi ajo para Kryeministrisë.
Në fjalën e saj, ajo vuri në dukje kontributin ekonomik që emigrantët japin për familjet në Shqipëri, duke theksuar se mijëra familje mbështeten te të ardhurat e siguruara nga të afërmit që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
“Le ta themi hapur, diaspora blen ilaçet e shëndetësisë falas për nënat dhe baballarët, paguan ujin dhe dritat. Pa diasporën, mijëra familje nuk do të arrinin të mbijetonin”, u shpreh protestuesja.
Protestuesja e përshkroi emigracionin si një sakrificë të përditshme, duke kujtuar prindërit që jetojnë larg fëmijëve dhe të rinjtë që detyrohen të punojnë në vende të huaja për të ndihmuar familjet e tyre në Shqipëri.
Sipas saj, vendi vazhdon të mbështetet në kontributin e emigrantëve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve dhe diasporës që të vijojnë angazhimin në protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Lini një Përgjigje